Protesta apo dialog? Qytetarët flasin për krizën në formimin e institucioneve
Qytetarët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mundësisë së protestave për shkak të ngërçit në formimin e institucioneve të reja në vend. Disa e shohin protestën si mënyrë për t’i dhënë fund bllokadës institucionale, ndërsa të tjerë konsiderojnë se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet partive politike.
Qytetari Ismet Krasniqi, në një prononcim për “Ekonomia Online”, ka thënë se situata në vend është krejt e pakuptimtë, duke shtuar se qytetarët dalin në zgjedhje që të formohen institucionet. Ai ka deklaruar se, nëse mbahet një protestë e tillë, do të merrte pjesë, por ka thënë se duhet të dihet se për kë po mbahet protesta.
“Me qejf! Se votën na e kemi dhanë për me u formuar institucionet. Tash, krejt e pakuptimtë kjo! Këtë gjendje si jemi edhe mos me u bë institucionet, çfarë kuptimi kanë zgjedhjet? Po nuk di çfarë rrezikon më shumë, rrezikuar ka boll. Ndoshta me bllokimin e gjithçkaje. S’po di, nuk di, veç nuk është gjendja e mirë, nuk është. Nuk di çfarë të them tjetër. Më e mira e mbarë ka qenë me u formuar, me këqyrë çfarë po bëhet, se nuk bëhet kështu boll, besoj. Po, dal. Dal. Po për kë? Për çfarë dilet në protestë? Me e zhbllokuar? Këta ish dashtë me çblloku vetë. Se populli del në zgjedhje, t’ia jep votën. Po, inshallah bëhet mirë. S’di, nuk di”, ka thënë Krasniqi.
Qytetari tjetër, Muzafer Qafleshi, për “Ekonomia Online” është shprehur se qytetarët e kanë kryer obligimin e tyre përmes votës, duke shtuar se, në rast se organizohet ndonjë protestë për të kërkuar zgjidhje të ngërçit politik, atëherë duhet të dihet në favor të kujt është protesta.
“Patjetër, është përgjegjësi e tyre. Tash me kërkuar protesta, për çka janë ato protesta? Në favor të kujt janë ato protesta? Do të thotë, favor dhe individuale, grupeve, interesave grupore. Do të thotë, qytetari ka dalë e ka kryer obligimin e vet si qytetar, tash është obligimi i partive me u ulë, me u marrë vesh, me i themeluar institucionet edhe me ecë përpara.
Dëgjo, ato duhet me vazhduar. Ka pasë me qenë edhe më përpara, po. Ajo duhet me u ulë me biseduar për interesa shtetërore bre, jo për interesa grupore, individuale, partiake. Ne qytetarët, për shembull unë jam pensionist, unë pres prej atyre një standard. Me 150 euro çka bëjmë ne? Do të thotë askush s’merret me ne. Opozita ka kauza sa të duash për me u marrë me probleme shoqërore me të cilat ballafaqohemi, e jo për çka ato protesta? Unë s’po e kuptoj pse protesta. Sinqerisht s’po e kuptoj. Do të dalin në rrugë me protesta, çka? Do të thotë po e mohojnë votën e qytetarit tani në atë mënyrë. Nuk po e pranojnë. Në qoftë se qytetari ka votuar, ulu, mirë merru vesh, themeloni institucionet edhe le të kryhet puna”, ka thënë Qafleshi.
E mërgimtari Bajrush Kllokoqi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në protestë nëse thirret një e tillë, pasi që çështja e formimit të institucioneve kërkon bashkëpunim mes partive.
“Jo. Nuk është e drejtë. Se zgjidhen me bashkëpunim zgjidhen të dyja ato. Edhe ka me u zgjedhë 100% presidenti kësaj radhe, dashtë e pa dashtë. Po. Mendoj. Po duhet me u bë. Opozita nuk ka tjetër, pos me përkrahë me zgjedhë sipas meje zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Duhet me u bë. Jo. Nuk duhet, se këtu është një thelb i madh, nuk është veç këtu. Këtu është qëllimi tjetërku, nuk është veç për president, se ka president që mundet me u zgjedhë për 1 orë, 2 orë. Siç kanë zgjedhur përpara. Këtu është qëllimi më kryesor është këta me dëmtuar bashkë me Vetëvendosjen. Me pa pak me largësi. Jo që i përkas, për shembull, unë nuk jamë në një partie politike, mirëpo s’ka tjetër zgjidhje. Unë jashtë, që 35 vite. Edhe merrem edhe kështu… gjithmonë i përcjell debatet, pa marrë parasysh shqip. Por në fund duhet me u bë bashkë për këtë çështje, se kjo është edhe pasqyrë shumë e keqe e rendomtë”, ka thënë Kllokoqi.
Të hënën, deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka paralajmëruar protesta, siç ka thënë, për vonesën e konstituimit të Kuvendit.
“Ne e dimë se mbi 20 raste janë që është vërtetuar se kanë shkelur Kushtetutën. Më nuk ka rrugë vetëm institucionale dhe e vetmja (zgjidhje) do të jetë rruga”, ka thënë ai.



