BE-ja: Deklaratat e Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk ndihmojnë normalizimin e raporteve

11 gusht 2026 | 14:15

Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar se deklaratat e zyrtarëve serbë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësja e BE-së, Anita Hipper, ka thënë në një konferencë për medie se çështjet e hapura ndërmjet dy palëve mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

“Gjithashtu rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Hipper.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përkundër faktit që Barcelona e Tottenhami, kanë rikthyer interesimin për…