Mustafa: Fituesi i zgjedhjeve e ka përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit, fajësimi i opozitës është i pabazë
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, e ka përgjegjësinë kryesore për konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Në një prononcim për “lajmi.net”, Mustafa ka kritikuar qasjen e LV-së ndaj opozitës, duke vlerësuar se partia fituese duhet të kërkojë mundësi për kompromis politik.
“Mendoj se partia e cila i ka fituar zgjedhjet e ka përgjegjësinë dhe rolin kryesor për të konstituuar Kuvendin dhe për të gjetë mundësi me kompromise për presidentin”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka thënë se përgjegjësia për tejkalimin e ngërçit politik nuk mund t’i bartet opozitës.
Mustafa e ka cilësuar të pabazë dhe të pandershëm fajësimin e opozitës për situatën e krijuar.
“Fajësimi i opozitës në këtë kontekst është i pabazë dhe i pandershëm, nëse do të kishte ndershmëri në politikë”, është shprehur ai.



