Ish-ushtari i UÇK’së thotë se Llugiqi që kërkoi pushkatimin e Haradinajt përmendet nga ish-polici serb si “bashkëpunëtor i Serbisë”
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Peja, Naim Lushi, ka pretenduar se Skender Llugiqi, personi që u arrestua pasi në Kuvendin e Kosovës kërkoi “pushkatimin” e deputetit të Aleancës, Ramush Haradinaj, përmendet si emër në librin e një ish-polici serb.
Lushi me anë të një postimi në ‘Facebook’ publikoi një fragment të përkthyer nga libri i ish-pjesëtarit të MUP-it serb, Slavko Nikiq, i cili dyshohet se ka kryer krime në Kosovë, shkruan Insajderi.
“Ish-polici serb, Slavko Nikiç, e kishte përmendur Skender Llugiqin që e kërcënoi Ramush Haradinajn në librin e tij “Grupi i Gjakut Zero”. Ai e përmend atë si bashkëpunëtor të Serbisë. Fragmenti i përkthyer nga libri: “Skender Llugiqi ishte shqiptar dhe njeri me të cilin kemi bashkëpunuar edhe para se të bëhej pjesëtar i Brigadës 114 të Zonës Operative të Drenicës. Ai e njihte terrenin dhe rrethanat më mirë se shumë të tjerë, prandaj ndihma e tij për ne ishte shumë e rëndësishme“”, thuhet në shkrimin e tij.
Llugiqi është arrestuar nga Policia e Kosovës pas deklaratës së tij në Kuvendin e Kosovës në kuadër të vizitave të mërgimtarëve, se Ramush Haradinaj duhet të pushkatohet. /Insajderi.org/



