Kurti, kadetëve të rinj të ShKK-së: Mbajeni lart uniformën, zbatoni ligjin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe, e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria.
Kurti këto deklarata i ka bërë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK).
“Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria. Republika e Kosovës ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në tri vitet e fundit në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë të rinj korrektues.
“Në tri vitet e fundit në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë të rinj korrektues. Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil. Por, numrat nuk janë qëllim në vete. Pas çdo rekrutimi qëndron një përgjegjësi, pas çdo uniforme qëndron një detyrë dhe pas çdo zyrtari qëndron besimi i qytetarëve dhe mbështetja e institucioneve”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës po zhvillohet dhe po fiton vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kosova po zhvillon një shërbim korrektues i cili gjithnjë e më shumë po fiton vlerësimin dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë. Sot Shërbimi Korrektues i Kosovës është anëtar i organizatave ndërkombëtare si Organizata Evropiane e Burgjeve dhe Shërbimeve Korrektuese (EuroPris) dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Korrektimit dhe Burgjeve (ICPA) dhe gjithnjë e më shumë po fiton besimin e të gjithë partnerëve anë e mbanë globit. Përvojat dhe praktikat e tij po çmohen jo vetëm ndërkombëtarisht, por sidomos në rajon, ku gjithnjë e më shumë vende po i marrin ato si model për avancimin e shërbimeve të tyre korrektuese. Kjo na obligon neve bashkë të mbajmë standarde edhe më të larta”, ka thënë Kurti.
Kurti u është drejtuar edhe zyrtarëve të rinj korrektues, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, ligjshmërisë dhe dinjitetit në ushtrimin e detyrës.
“Të dashur zyrtarë, nga sot ju përfaqësoni shtetin dhe institucionet. Në çdo situatë duhet të veproni me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet. Autoriteti juaj matet me drejtësinë dhe respektin që tregoni në punë. Shërbimi juaj korrigjon, pra është i drejtë. Por shërbimi juaj edhe përmirëson, pra është i dobishëm për shërbimin”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kurti ka falënderuar familjet dhe institucionet që kanë mbështetur kadetët gjatë përgatitjes së tyre.
“Sot familjet tuaja dhe Republika e Kosovës kanë arsye të jenë krenare me ju. Falënderoj Shërbimin Korrektues të Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri, instruktorët dhe të afërmit tuaj për mbështetjen që ju kanë dhënë. Nga nesër fillon përgjegjësia e vërtetë. Mbajeni lart uniformën, zbatoni ligjin dhe shërbeni me ndershmëri duke afirmuar profesionalizmin për çdo ditë në secilën situatë”, ka përfunduar Kurti. /EO



