Kurti: Duhet të merremi vesh për presidentin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të partisë që ai udhëheq se presidenti i ardhshëm duhet të jetë konsensual dhe se për këtë dëshiron të ketë marrëveshje me partitë e tjera, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja.
“Ju e keni parasysh qëndrimi i LV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri dhe për këtë dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, ka thënë ai.
Kurti ka uruar edhe 100 kadetët të cilët sot iu bashkuan Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Sot ishte një ditë e suksesshme dhe e gëzuar me Ministrinë e Drejtësisë, për drejtësinë në Kosovë, për Shërbimin Korrektues në Kosovë, meqë trajnimin pesëmujor 100 kadetë e kryen me sukses, të cilët nga tani do të jenë 100 oficerë”, ka thënë ai.



