Felix Magath viziton FFK-në, takohet me Agim Ademin
Trajneri i njohur gjerman, Felix Magath, ka vizituar sot zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku është pritur në takim nga presidenti Agim Ademi.
Ademi ka bërë me dije se gjatë takimit e ka njoftuar Magathin me zhvillimin e futbollit në Kosovë, progresin e arritur ndër vite, investimet në infrastrukturë, zhvillimin e talenteve të rinj dhe synimet për ngritjen e mëtejshme të nivelit të futbollit kosovar.
Së bashku, Ademi dhe Magath kanë vizituar edhe Kampin Nacional të FFK-së, ku trajneri gjerman është njohur nga afër me kushtet dhe infrastrukturën e krijuar për zhvillimin e ekipeve kombëtare dhe gjeneratave të reja.
Ademi e ka vlerësuar si të veçantë mundësinë për të shkëmbyer pikëpamje me Magathin, i cili ka lënë gjurmë në futbollin evropian si futbollist dhe trajner.
Ai ka thënë se vizitat e personaliteteve të këtij niveli janë të mirëseardhura dhe e nderojnë FFK-në dhe futbollin e Kosovës.



