Producentja dhe aktorja kosovare Ftesa Hazrolli pjesë e WIP Europa në San Sebastián 2026

15 gusht 2026 | 17:21

Producentja dhe aktorja kosovare Ftesa Hazrolli do të prezantojë ndërkombëtarisht projektin filmik turk The Battle of Hedgehogs (Kirpilerin Savaşı), i cili është përzgjedhur zyrtarisht në WIP Europa, në kuadër të edicionit të 74-të të San Sebastián International Film Festival, një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropë.

Përzgjedhja në San Sebastián përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të projektit. WIP Europa është platformë profesionale për filma në fazën e post-produksionit, ku projektet e përzgjedhura prezantohen para producentëve, distributorëve, sales agents, blerësve dhe profesionistëve të tjerë të industrisë, me synim përfundimin dhe qarkullimin e tyre ndërkombëtar.

Në kuadër të programit, Hazrolli do të zhvillojë takime me profesionistë të industrisë dhe partnerë potencialë, duke prezantuar projektin dhe duke kërkuar mundësi për përfundimin dhe distribuimin ndërkombëtar të filmit.

I prodhuar nga MTA Film Yapım dhe me regji të Tayfur Aydın, The Battle of Hedgehogs është një projekt në të cilin Hazrolli është përfshirë që nga fazat e hershme, fillimisht si producente dhe më pas edhe si aktore. Në film, ajo interpreton një nga vajzat e familjes në qendër të historisë.

Filmi rrëfen historinë e një gruaje të re, e cila pas vdekjes së babait kërkon pjesën e saj të trashëgimisë, të mohuar për vite me radhë. Kërkesa e saj hap një konflikt brenda familjes dhe përplas traditat patriarkale me të drejtën e grave për pronë dhe barazi.

Krahas Hazrollit, në kast janë edhe emra të njohur të kinemasë dhe televizionit turk.

Përzgjedhja në San Sebastián vjen pas një rrugëtimi disa-vjeçar të projektit në platforma ndërkombëtare të zhvillimit dhe industrisë së filmit. Filmi është prezantuar në Apulia Film Forum në Itali dhe në TRT 12 Punto në Turqi, ku ka marrë çmim në fazën e zhvillimit. Më pas, projekti është rikthyer në TRT 12 Punto edhe në fazën Work in Progress.

Në WIP Europa, The Battle of Hedgehogs do të konkurrojë për WIP Europa Industry Award dhe WIP Europa Award, duke pasur mundësinë të përfitojë mbështetje profesionale për përfundimin dhe daljen në tregun ndërkombëtar.

Për Hazrollin, pjesëmarrja në San Sebastián shënon një tjetër hap në angazhimin e saj ndërkombëtar si producente dhe aktore, duke e vendosur punën e saj kreative dhe profesionale në një prej platformave të rëndësishme të industrisë evropiane të filmit.

Përmes kompanisë së saj Film Station, Hazrolli zhvillon aktivitetin në produksion dhe distribuim, me fokus në krijimin e lidhjeve mes projekteve filmike dhe tregut ndërkombëtar.

San Sebastián International Film Festival 2026 do të mbahet nga 18 deri më 26 shtator, ndërsa WIP Europa do të zhvillohet nga 21 deri më 23 shtator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke hulumtuar në arkiv, sot gjeta këtë letër origjinale të…