Kurti: Siparantum Choir triumfon në Herceg Novi me tri çmime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Siparantum Choir ka shënuar një sukses të trefishtë në një garë ndërkombëtare në Herceg Novi.
Sipas Kurtit, mbrëmë, në Park Hall në Herceg Novi, Siparantum Choir doli fitues i trefishtë.
Në Kategorinë C2 – Kore të Përziera, në konkurrencë me dy kore nga Serbia dhe dy kore nga Mali i Zi, kori nga Kosova fitoi vendin e parë me 97 pikë, duke u shpallur Fitues i Kategorisë C2.
Kurti ka bërë të ditur se Siparantum Choir është nderuar edhe me Çmimin për Interpretim të Jashtëzakonshëm në Kompozim Bashkëkohor, ndërsa Çmimi për Dirigjentin më Premtues i është ndarë dirigjentit Memli Kelmendi.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme, tri çmime dhe një tjetër sukses i madh për Siparantum Choir, në përfaqësimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar kryeministri Kurti.



