Kryeshefi i TrainKos i kërkon falje publike Ganimete Musliut
Kryeshefi i Trainkos, Agron Statovci, është tërhequr nga deklarata ofenduese ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, duke kërkuar falje publike dhe duke e fshirë komentin në fjalë.
Musliu i kishte reaguar Statovcit duke paralajmëruar se do të ndiqte rrugë ligjore nëse ai nuk do të kërkonte falje publike brenda 24 orësh.
Ndaj komentit me përmbajtje seksiste të Statovcit pati reagime të shumta nga figura politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët dënuan gjuhën e përdorur nga një zyrtar që mban pozitë publike.
“Tu e pa sojin e kësaj femre, jam tu e lëshu edhe gruan”, kishte shkruar Statovci, në një koment që u interpretua si referencë ndaj deputetes Musliu. Pas presionit publik, Statovci ka kërkuar falje dhe ka bërë të ditur se tërhiqet nga deklarata e tij.
“Unë tërhiqem (fshirë) nga komentet në fjalë, duke kërkuar ndjesë asaj dhe gjithë atyre që janë prekur nga komentet në fjalë”, ka shkruar Statovci. Ai ka pretenduar se komenti ishte një “ironi momentale” dhe se nuk kishte për qëllim të ofendonte deputeten.
“I gjendur përballë një fushate të orkestruar, nxitur nga një koment momental i imi që ishte një ironi, i cili kishte dashur vetëm të përshkruajë situatën e atij momenti me një ironi, e cila nuk kishte as qëllim e as tendencë. Duke e ditur që vlerat e mia dhe niveli im nuk janë ai i cili po tentohet të pasqyrohet, por dhe duke e parë që tentimi i lidhjes me emrin e përveçëm të deputetes Ganimete Musliu ka një tendencë qëllimkeqe, unë tërhiqem (fshirë) nga komentet në fjalë, duke kërkuar ndjesë asaj dhe gjithë atyre që janë prekur nga komentet në fjalë”, ka shkruar Statovci në Facebook.
Me kërkimfaljen publike, Statovci është tërhequr nga deklarata, ndërsa Musliu kishte paralajmëruar më herët se, në mungesë të një kërkimfaljeje brenda afatit të caktuar, do të ndërmerrte hapa ligjorë.



