Dyert e mbyllura të Kuvendit, administrata: Nuk kemi pranuar njoftim për seancë

16 gusht 2026 | 13:40

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me organizimin e seancës plenare për 16 gusht, pasi deputetët e PDK-së u paraqitën sot në Kuvend dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive.

PDK-ja i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si partia më e madhe, që seanca të vazhdonte sot nga ora 11:00. Deputetët e kësaj partie, megjithatë, i gjetën dyert e sallës së seancave plenare të mbyllura.

Në njoftimin e saj në “Facebook”, Administrata e Kuvendit ka sqaruar se për datën 16 gusht nuk ka pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.

“Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, është thënë në njoftim.

Administrata e Kuvendit ka theksuar se mungesa e njoftimit nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve apo grupeve parlamentare.

“Administrata ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe procedurat përkatëse, duke ofruar mbështetje profesionale dhe të barabartë për të gjithë deputetët. Me komunikimin zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata e Kuvendit do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike në kuadër të kompetencave të saj”, është thënë në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KRU “Prishtina” ka njoftuar se gjatë kontrolleve të specializuara në…