GLPS-ja: Heshtja e qeverisë në detyrë përbën shkelje të detyrimeve ligjore dhe parimeve të transparencës

17 gusht 2026 | 11:58

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim lidhur me, siç ka vlerësuar, shpërfilljen e obligimeve ligjore dhe mungesën e transparencës nga qeveria në detyrë, pas kërkesës së kësaj organizate për qasje në dokumente publike.

GLPS-ja ka bërë me dije se kërkesa, e drejtuar Zyrës së Kryeministrit (ZKM), ka pasur të bëjë me dorëheqjet e anëtarëve të qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Përmes një reagimi publik, GLPS-ja ka njoftuar se më 6 gusht 2026 ka parashtruar kërkesën, duke kërkuar listën e anëtarëve të qeverisë që kanë dhënë dorëheqje, datat e dorëheqjeve dhe vendimet përkatëse për pranimin e tyre. “Kërkesa është parashtruar duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 26 të Ligjit për qeverinë, sipas të cilit, në rast se një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Po ashtu, neni 72 i Kushtetutës ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe ministrit. Kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata Supreme në vendimin P.A.nr.09/2025, të datës 25 qershor 2025, ku është konstatuar se ushtrimi i njëkohshëm i këtyre dy funksioneve është në kundërshtim me Kushtetutën”, është thënë në reagimin e GLPS-së.

Sipas GLPS-së, përkundër obligimit ligjor dhe rëndësisë së kësaj çështjeje, ZKM-ja nuk i është përgjigjur kërkesës brenda afatit prej shtatë ditësh, të përcaktuar me Ligjin për qasje në dokumente publike.

Mungesa e përgjigjes, sipas GLPS-së, nuk përbën vetëm shkelje të afatit ligjor për qasje në dokumente publike, por cenon edhe parimin e transparencës institucionale. “Për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, institucionet publike duhet të jenë transparente edhe pa u detyruar nga kërkesat për qasje, e aq më tepër të mos refuzojnë apo heshtin kur një informacion i tillë kërkohet në mënyrë formale”, është thënë në reagimin e GLPS-së.

Për këtë arsye, GLPS ka bërë me dije se, më 17 gusht 2026, ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke kërkuar që ZKM-ja të obligohet të ofrojë informacionet dhe dokumentet e kërkuara. “Moszbatimi i detyrimeve të përcaktuara me ligj dhe heshtja institucionale ndaj kërkesave të ligjshme të publikut nuk mund të normalizohen si praktikë dhe institucionet janë të detyruara të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të japin llogari për veprimet dhe mosveprimet e tyre”, është thënë në reagimin e GLPS-së.

GLPS-ja ka vlerësuar se një qasje e tillë përbën mungesë serioze të përgjegjësisë dhe transparencës institucionale ndaj shoqërisë civile dhe publikut në përgjithësi.

Në fund, GLPS-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që, pa vonesa të mëtejshme, ta informojë opinionin publik për këtë çështje dhe t’i bëjë publike informacionet dhe dokumentet përkatëse, në përputhje me detyrimet ligjore për transparencë dhe llogaridhënie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fortesa Mustafa shpall të pavlefshme diplomën e shkollës së mesme…