“Linja e Jetës” proteston kundër raportimit të vetëvrasjeve: Kërkon mbrojtjen e privatësisë së viktimave

17 gusht 2026 | 13:06

Organizata “Linja e Jetës” ka protestuar kundër mënyrës së raportimit të rasteve të vetëvrasjeve dhe publikimit të informatave private të viktimave dhe familjeve të tyre. Drejtori i  kësaj organizate, Bind Skeja, ka kritikuar portalin “Sinjali”, duke pretenduar se publikimi i rasteve tragjike dhe informatave të ndjeshme bëhet për rritjen e shikueshmërisë dhe klikimeve.

Skeja ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e transparencës rreth pronësisë, gazetarëve dhe financimit të portalit.

Ai ka përmendur raste kur, sipas tij, janë ripublikuar video dhe informacione private të personave që kanë tentuar vetëvrasjen ose kanë humbur jetën.

Sipas tij, raportime të tilla u shkaktojnë presion shtesë familjeve në periudhën e tyre të zisë dhe cenojnë dinjitetin e viktimave. “Linja e Jetës” ka deklaruar se protesta është organizuar në mbështetje të familjeve dhe individëve që, sipas organizatës, janë prekur nga këto raportime.

Skeja u ka bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të reagojnë ndaj mënyrës së raportimit të rasteve të vetëvrasjeve dhe të mbrojnë privatësinë e qytetarëve.

Ai ka kërkuar gjithashtu nga bizneset që reklamojnë në “Sinjali” të ndërpresin bashkëpunimin me portalin. Organizata ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë për të kërkuar drejtësi dhe ndryshim të praktikave të raportimit. Skeja ka theksuar se qëllimi i tyre është që familjet e tjera të mos përballen me publikimin e informatave private dhe cenimin e dinjitetit pas rasteve tragjike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aurela Hoxha ka zgjedhur që këtë verë ta kalojë me…