Ferizaj: 61 gjoba për një javë, telefoni dhe shkelja e shenjave në krye të listës
Njësia e motoçikletave, në kuadër të njësisë së komunikacionit rrugor në Ferizaj, ka shqiptuar 61 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë javës së kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, 12 gjoba janë shqiptuar për mosrespektim të shenjave të trafikut, tetë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, shtatë për mosmbajtje të distancës së sigurisë, ndërsa pesë për shkelje të rregullave të peshores nga shoferët e kamionëve.
Ndërsa 29 gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të ndryshme. Njësia e motoçikletave ka bërë me dije se ka vepruar në tërë territorin e Rajonit të Ferizajt, përfshirë Ferizajn, Kaçanikun, Shtimen, Shtërpcën dhe Hanin e Elezit.
Policia rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit.
“Policia rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit. Kujdesi, përqendrimi dhe respektimi i rregullave të trafikut shpëtojnë jetë. Udhëtoni me përgjegjësi dhe kontribuoni për një trafik më të sigurt për të gjithë”, është thënë në apelin e policisë.



