Gjykata në Prizren shpall fajtor një person për organizim të luftimit të qenve
Një person është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve.
Lajmin e ka bërë të ditur Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, personi me inicialet I.K. është dënuar me 300 euro gjobë.
“Në një aktgjykim të fundit, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve dhe e ka dënuar me gjobë prej 300 euro. Rasti është inicuar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga organizata jonë”, thuhet në postim.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka shprehur zhgënjimin për faktin se rastet e luftimit të qenve, sipas tyre, deri më tani janë dënuar vetëm me gjoba.
“Ndonëse mbetemi të zhgënjyer që deri më tani, rastet e luftimit të qenve kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë, e vlerësojmë faktin që gjykata e ka njohur veprën e shkaktuar dhe ka konstatuar fajësinë e të pandehurit”, thuhet në postim.
Organizata ka shprehur shqetësim edhe për mospërfshirjen e masave të tjera të parapara me ligj në aktgjykime.
“Neni 16 i Ligjit Nr. 08/L-188 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal parasheh konfiskimin e kafshëve dhe ndalimin e personit të dënuar për të mbajtur kafshë. Këto masa janë veçanërisht të rëndësishme në rastet e luftimit të qenve, ku kafshët janë drejtpërdrejt të përfshira në veprën penale”, thuhet në njoftim.
Fondacioni ka kërkuar që, përveç konstatimit të përgjegjësisë penale, të zbatohen edhe masat e parapara me Kodin Penal.



