Kroacia arreston të dyshuarin e dytë në rastin “Nord Stream”

19 gusht 2026 | 14:18

Një i dyshuar i dytë për përfshirje në shpërthimet e tubacioneve të gazit “Nord Stream” në vitin 2022 është arrestuar në Kroaci dhe pritet të ekstradohet në Gjermani, njoftuan të mërkurën prokurorët gjermanë.

Zyra e Prokurorit Federal të Gjermanisë e ka identifikuar të dyshuarin si shtetasin ukrainas Vladimir Z. Ai është arrestuar në qytetin bregdetar të Pulës nga policia kroate, në bazë të një urdhër-arresti evropian.

Prokurorët gjermanë kanë ngritur në korrik akuza ndaj një tjetër shtetasi ukrainas, ish-oficerit të ushtrisë Serhii K., për përfshirje në shpërthimet e “Nord Stream”.  Ai dyshohet se ka vepruar në emër të entiteteve shtetërore ukrainase.

Sipas autoriteteve gjermane, Vladimir Z., një zhytës i trajnuar, dyshohet se ishte pjesë e një grupi të udhëhequr nga Serhii K. që vendosi eksplozivë në tubacionet “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2” pranë ishullit danez Bornholm.

Shpërthimet e shtatorit 2022 dëmtuan rëndë tubacionet që transportonin gaz natyror nga Rusia drejt Gjermanisë përmes Detit Baltik. Ngjarja, e cila ndodhi disa muaj pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, është trajtuar nga Rusia dhe vendet perëndimore si një akt sabotimi.

Hetimet për shpërthimet kanë vazhduar prej vitesh, ndërsa arrestimi i Vladimir Z. përbën një zhvillim të ri në procedurat penale të zhvilluara nga autoritetet gjermane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy të rinj, Qëndrim Xhemajli dhe Rinor Zejnullahu, kanë humbur…