‘I duhet trajtim i përhershëm’, neurologu sqaron problemin e Musialas

19 gusht 2026 | 16:12

Episodet e të fikëtit të Jamal Musialës kanë shqetësuar botën e futbollit, por nga Bayern Munich vijnë sinjale optimiste për gjendjen e yllit gjerman.

23-vjeçari u rrëzua gjatë miqësoreve ndaj Leipzigut dhe Heidenheimit, ndërsa në ndeshjen e dytë qëndroi vetëm katër minuta në fushë përpara se të shfaqte sërish episodin.

Musiala ka shpjeguar se mjekët i kanë konstatuar “episode të shkurtra të mungesës së vetëdijes, që shfaqen përkohësisht, por janë të trajtueshme dhe lidhen me një disfunksion neurologjik”.

Sipas neurologut Christoph Kleinschnitz, drejtues i Neurologjisë në Spitalin Universitar të Essenit, simptomat mund të lidhen me një formë të krizave epileptike të mungesës.

Megjithatë, specialisti ka theksuar se nevojiten ekzaminime të plota neurologjike për të përcaktuar diagnozën e saktë.

Eksperti është shprehur optimist për karrierën e futbollistit, duke bërë të ditur se një problem i tillë mund të trajtohet dhe Musiala mund të vazhdojë të luajë futboll, në varësi të rezultateve të ekzaminimeve dhe trajtimit që do të përcaktohet.

Edhe te Bayern Munich duket se mbizotëron qetësia.

Sipas agjencisë gjermane “DPA”, klubi nuk ka indicie se disfunksioni neurologjik do ta pengojë Musialën të vazhdojë karrierën në nivelin më të lartë.

Dy paraqitjet e tij të fundit janë kryer në koordinim me mjekët.

Ndërkohë, presidenti i nderit i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka pranuar se episodi i dytë e kishte tronditur.

“Fakti që ndodhi sërish vetëm katër ditë më vonë më la vërtet në shok. Mbeta pa fjalë, gjë që rrallë më ndodh. Shtrihem duke menduar për të dhe zgjohem në mëngjes duke menduar për të. Ne e mbështesim Jamalin pa kushte”, ka deklaruar Hoeness.

Hoeness ka zbuluar gjithashtu se klubi kishte dijeni prej kohësh për problemet e Musialës, por episodi në Leipzig ishte hera e parë që një situatë e tillë ndodhte në fushë.

“Na kishin informuar prej kohësh për këto probleme. Por ajo që ndodhi në Leipzig javën e kaluar ishte hera e parë që ndodhte në fushë. Mendova: ‘Nëse nuk ndodh përsëri së shpejti, atëherë mjekimi do të ndihmojë’. Por fakti që ndodhi sërish katër ditë më vonë më la vërtet në shok. Isha ulur në divan, pa fjalë”, ka thënë Hoeness.

Hoeness ka shtuar se situata është para së gjithash një dramë për vetë Musialën dhe se mjekët e Bayern Munichut janë në kontakt të vazhdueshëm me specialistët.

Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për aktivizimin e Musialës në Superkupën e Gjermanisë ndaj Borussia Dortmundit këtë të shtunë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO ka reaguar pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar mundësinë…