Fiksioni modern
VIRGINIA A WOOLF
Kur bëjmë një vështrim të përgjithshëm, qoftë edhe sa më të lirë dhe të çlirët mbi fiksionin modern, është e vështirë të mos e marrim si të mirëqenë se praktika moderne e këtij arti është, në njëfarë mënyre, një përmirësim mbi atë të dikurshmen. Me mjetet e tyre të thjeshta dhe me materialet primitive, mund të thuhet, Fieldingu bëri mirë dhe Jane Austen edhe më mirë, por krahasojini mundësitë e tyre me tonat. Kryeveprat e tyre kanë, pa dyshim, një pamje të çuditshme thjeshtësie. E megjithatë, analogjia midis letërsisë dhe procesit, të marrim si shembull, të prodhimit të automobilave, vlen vetëm në shikim të parë. Është e dyshimtë nëse, gjatë shekujve, ndonëse kemi mësuar shumë për prodhimin e makinave, kemi mësuar diçka për prodhimin e letërsisë. Ne nuk arrijmë të shkruajmë më mirë; gjithçka që mund të thuhet se bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim, herë pak në këtë drejtim e herë në atë, por me një prirje rrethore, nëse e gjithë rruga e përshkuar do të shihej nga një majë mjaft e lartë. Vështirë se ka nevojë të thuhet se nuk pretendojmë të qëndrojmë, qoftë edhe për një çast, në një pikë të tillë vrojtimi. Atje poshtë, në rrafshinë, në turmë, gjysmë të verbuar nga pluhuri, shikojmë prapa me zili ata luftëtarë më fatlumë, beteja e të cilëve është fituar dhe arritjet e të cilëve mbajnë një pamje aq të qetë përmbushjeje, saqë mezi përmbahemi të mos pëshpëritim se lufta për ta nuk paska qenë aq e ashpër sa për ne. I takon historianit të letërsisë të vendosë; atij i takon të thotë nëse tani po fillojmë, po përfundojmë apo po qëndrojmë në mes të një periudhe të madhe të prozës fiksionale, sepse nga rrafshina poshtë duket shumë pak. Ne vetëm dimë se disa mirënjohje dhe armiqësi na frymëzojnë; se disa shtigje duket se të çojnë në tokë pjellore, ndërsa të tjera në pluhur dhe shkretëtirë dhe, ndoshta, ia vlen të përpiqemi të japim një shpjegim për këtë.
Atëherë, mosmarrëveshja jonë s’është me klasikët dhe, nëse flasim për mosmarrëveshjen me zotin Wells, zotin Bennett dhe zotin Galsworthy, kjo ndodh pjesërisht sepse vetëm nga fakti i ekzistencës së tyre prej mishi e gjaku, veprat e tyre kanë një papërsosmëri të gjallë, që merr frymë të përditshme, e cila na lejon të marrim me to çfarëdo lirie që dëshirojmë. Por është gjithashtu e vërtetë se, ndërsa u jemi mirënjohës për një mijë dhurata, mirënjohjen tonë të pakushtëzuar e ruajmë për zotin Hardy, zotin Conrad dhe, në një masë shumë më të vogël, për zotin Hudson-in e The Purple Land, Green Mansions dhe Far Away and Long Ago. Zoti Wells, zoti Bennett dhe zoti Galsworthy kanë ngjallur kaq shumë shpresa dhe i kanë zhgënjyer ato kaq këmbëngulshëm, sa mirënjohja jonë në masë të madhe merr formën e falënderimit ndaj tyre që na kanë treguar se çfarë mund të kishin bërë, por nuk e kanë bërë; çfarë ne sigurisht nuk do të mund ta bënim, por që, po aq sigurisht, ndoshta as nuk dëshirojmë ta bëjmë. Asnjë fjali e vetme s’mund ta përmbledhë akuzën apo ankesën që kemi ndaj një mase veprash kaq të madhe në vëllim dhe që mishëron kaq shumë cilësi, si të admirueshme, ashtu edhe të kundërta me to. Nëse do të përpiqeshim ta formulonim kuptimin tonë me një fjalë, do të thoshim se këta tre shkrimtarë janë materialistë. Pikërisht sepse ata merren jo me shpirtin, por me trupin, na kanë zhgënjyer dhe na kanë lënë me ndjenjën se sa më shpejt që fiksioni anglez t’u kthejë shpinën, me aq mirësjellje sa të jetë e mundur, dhe të marshojë, qoftë edhe drejt shkretëtirës, aq më mirë do të jetë për shpirtin e tij. Natyrisht, asnjë fjalë e vetme nuk arrin në qendër të tri shënjestrave të ndryshme. Në rastin e zotit Wells, ajo bie dukshëm larg shenjës. E megjithatë, edhe tek ai, kjo fjalë, sipas mënyrës sonë të të menduarit, tregon përbërësin fatal në gjenialitetin e tij, atë masë të madhe balte që është përzier me pastërtinë e frymëzimit të tij. Por zoti Bennett është ndoshta fajtori më i madh nga të tre, pikërisht sepse është, me shumë diferencë, mjeshtri më i mirë. Ai mund të ndërtojë një libër aq mirë, aq të qëndrueshëm në mjeshtërinë e tij, saqë edhe kritikut më kërkues i është e vështirë të shohë nga ndonjë e çarë apo ndonjë plasë mund të depërtojë kalbëzimi. Nuk ka as edhe një fllad midis kornizave të dritareve, as një të çarë në dërrasa. E megjithatë, po sikur jeta të refuzojë të jetojë aty? Ky është një rrezik që krijuesi i The Old Wives’ Tale, George Cannonit, Edwin Clayhangerit dhe një morie figurash të tjera mund të pretendojë se e ka kapërcyer. Personazhet e tij jetojnë me bollëk, madje në mënyrë të papritur, por mbetet të pyesim: si jetojnë dhe për çfarë jetojnë? Gjithnjë e më shumë na duken sikur, duke braktisur edhe vilën e ndërtuar mirë në Five Towns, e kalojnë kohën në ndonjë vagon të klasës së parë, të butë e të rehatshëm, duke shtypur pa fund zile dhe butona; dhe fati drejt të cilit udhëtojnë kaq luksshëm bëhet gjithnjë e më qartazi një përjetësi lumturie e kaluar në hotelin më të mirë të Brightonit. Vështirë se mund të thuhet për zotin Wells se është materialist në kuptimin që kënaqet së tepërmi me qëndrueshmërinë e ndërtesës së tij. Mendja e tij është tepër bujare në simpatitë e saj për ta lejuar të kalojë shumë kohë duke i bërë gjërat të rregullta dhe të qëndrueshme. Ai është materialist nga mirësia e pastër e zemrës, duke marrë mbi shpatulla punën që duhej ta kishin kryer zyrtarët e qeverisë dhe, mes bollëkut të ideve dhe fakteve të tij, mezi duke pasur kohë të kuptojë, ose duke harruar të mendojë si të rëndësishme, vrazhdësinë dhe trashësinë e qenieve të tij njerëzore. E megjithatë, çfarë kritike më dëmtuese mund të ketë si për tokën, ashtu edhe për qiellin e tij, sesa fakti se ato do të banohen, këtu dhe në përjetësi, nga Joans dhe Peters të tij? A nuk njollos inferioriteti i natyrave të tyre çfarëdo institucionesh dhe idealesh që bujaria e krijuesit të tyre mund t’u sigurojë? As në faqet e zotit Galsworthy, sado thellë ta respektojmë integritetin dhe njerëzillëkun e tij, nuk do të gjejmë atë që kërkojmë.
Nëse, pra, mbi të gjithë këta libra vendosim një etiketë të vetme, ku shkruan një fjalë – materialistë – me këtë nënkuptojmë se ata shkruajnë për gjëra të parëndësishme; se shpenzojnë një mjeshtëri të jashtëzakonshme dhe një punë të jashtëzakonshme për ta bërë të parëndësishmen dhe të përkohshmen të duket si e vërteta dhe e përhershmja.
Duhet ta pranojmë se jemi kërkues dhe, për më tepër, se e kemi të vështirë ta përligjim pakënaqësinë tonë duke shpjeguar se çfarë është ajo që kërkojmë. Pyetjen tonë e formulojmë ndryshe në kohë të ndryshme, por ajo shfaqet sërish e sërish, me këmbënguljen më të madhe, ndërsa e mbyllim romanin e përfunduar me një psherëtimë: A ia vlen? Cili është kuptimi i gjithë kësaj? A mund të jetë që, për shkak të njërit prej atyre shmangieve të vogla që shpirti njerëzor duket se i bën herë pas here, zoti Bennett ka ardhur me aparaturën e tij madhështore për kapjen e jetës, por vetëm një apo dy centimetra në anën e gabuar? Jeta i shpëton dhe, ndoshta, pa jetë, asgjë tjetër nuk ia vlen.
Është një pranim i paqartësisë të detyrohesh të përdorësh një figurë të tillë, por mezi e përmirësojmë çështjen duke folur, siç priren të bëjnë kritikët për realitetin. Duke pranuar paqartësinë që e prek çdo kritikë të romaneve, le të guxojmë të shprehim mendimin se, për ne në këtë çast, forma e fiksionit më në modë më shpesh s’e kap sesa e kap atë që kërkojmë. Qoftë se e quajmë jetë apo shpirt, të vërtetë apo realitet, kjo, gjëja thelbësore, ka lëvizur tutje, ose përpara, dhe nuk pranon më të përmbahet në veshje kaq të papërshtatshme sa ato që i sigurojmë. Megjithatë, ne vazhdojmë me këmbëngulje, me ndërgjegje, duke ndërtuar tridhjetë e dy kapitujt tanë sipas një projekti që gjithnjë e më shumë pushon së ngjari me vizionin në mendjet tona. Një pjesë kaq e madhe e punës së jashtëzakonshme për të provuar qëndrueshmërinë, ngjashmërinë me jetën, të rrëfimit, nuk është thjesht punë e hedhur dëm, por punë e vendosur në vendin e gabuar, deri në atë masë sa e errëson dhe e mbulon dritën e konceptimit. Shkrimtari duket se është i detyruar, jo nga vullneti i tij i lirë, por nga ndonjë tiran i fuqishëm dhe i paskrupullt që e mban nën zgjedhë, të sigurojë një subjekt, të sigurojë komedi, tragjedi, dashuri, interes dhe një pamje besueshmërie që e balsamos të gjithë veprën me një përsosmëri të tillë saqë, po të vinin të gjitha figurat e tij në jetë, do ta gjenin veten të veshura deri te butoni i fundit i palltove sipas modës së çastit. Tiranit i bindet; romani përfundohet deri në përsosmëri. Por ndonjëherë, gjithnjë e më shpesh me kalimin e kohës, ndiejmë një dyshim të çastit, një spazmë rebelimi, ndërsa faqet mbushen në mënyrën e zakonshme. A është jeta kështu? A duhet të jenë romanet kështu?
Shiko brenda vetes dhe jeta, me sa duket, është shumë larg të qenit “kështu”. Shqyrto për një çast një mendje të zakonshme në një ditë të zakonshme. Mendja merr një mori përshtypjesh të parëndësishme, fantastike, kalimtare, ose të gdhendura me mprehtësinë e çelikut. Ato vijnë nga të gjitha anët, një shi i pandërprerë atomesh të panumërta; dhe ndërsa bien, ndërsa marrin formë në jetën e së hënës ose së martës, theksi bie ndryshe nga dikur; çasti i rëndësishëm nuk ndodhi këtu, por atje; kështu që, po të ishte shkrimtari njeri i lirë dhe jo skllav, po të mund të shkruante atë që zgjidhte dhe jo atë që duhej, po të mund ta bazonte veprën e tij mbi ndjenjën e vet dhe jo mbi konventën, nuk do të kishte subjekt, as komedi, as tragjedi, as interes dashuror apo katastrofë në stilin e pranuar dhe, ndoshta, as edhe një buton të vetëm të qepur ashtu siç do ta kërkonin rrobaqepësit e Bond Streetit.
Jeta s’është një varg llambash gazi të vendosura në mënyrë simetrike; ajo është një halo e ndritshme, një mbështjellëse gjysmëtransparente që na rrethon që nga fillimi i vetëdijes deri në fund. A s’është detyra e romancierit të përcjellë këtë shpirt të ndryshueshëm, të panjohur dhe të pakufizuar, çfarëdo devijimesh apo ndërlikimesh të shfaqë, me sa më pak përzierje të së huajës dhe së jashtmes? Ne nuk po kërkojmë thjesht guxim dhe sinqeritet. Po sugjerojmë se lënda e vërtetë e fiksionit është paksa tjetër nga ajo që zakoni do të na bënte të besonim.
Pikërisht në një mënyrë të tillë, të paktën, përpiqemi ta përkufizojmë cilësinë që i dallon veprat e disa shkrimtarëve të rinj, ndër të cilët zoti James Joyce është më i shquari, nga veprat e paraardhësve të tyre. Ata përpiqen t’i afrohen më shumë jetës dhe ta ruajnë më sinqerisht e më saktësisht atë që u intereson dhe i prek, edhe nëse për ta bërë këtë duhet ta flakin tutje shumicën e konventave që zakonisht respektohen nga romancieri.
Le t’i regjistrojmë atomet ndërsa bien mbi mendje, sipas rendit në të cilin bien; le ta gjurmojmë modelin, sado i shkëputur dhe i paqëndrueshëm të duket në pamje të parë, që çdo pamje apo ngjarje lë mbi vetëdije.
Le të mos e marrim si të mirëqenë se jeta ekziston më plotësisht në atë që zakonisht mendohet si e madhe sesa në atë që zakonisht mendohet si e vogël. Kushdo që ka lexuar The Portrait of the Artist as a Young Man ose, atë që premton të jetë një vepër shumë më interesante, Ulysses, që tani po botohet në Little Review, do të ketë guxuar të ndërtojë një teori të tillë për synimin e zotit Joyce. Nga ana jonë, përballë një fragmenti të tillë, ne e hedhim këtë hamendësim më shumë si hipotezë sesa si pohim, por cilido qoftë synimi i tërësisë, nuk mund të ketë dyshim se ai është jashtëzakonisht i sinqertë dhe se rezultati, sado i vështirë apo i pakëndshëm të na duket, është padyshim i rëndësishëm.
Në kontrast me ata që i kemi quajtur materialistë, zoti Joyce është shpirtëror. Ai është i vendosur, me çdo kusht, t’i zbulojë dridhjet e asaj flake të brendshme që lëshon mesazhet e saj përmes trurit dhe, për ta ruajtur atë, ai shpërfill me guxim të plotë gjithçka që i duket e rastësishme apo e jashtme, qoftë ky probabiliteti, koherenca apo ndonjë prej atyre shenjave orientuese që, për breza me radhë, kanë shërbyer për ta mbështetur imagjinatën e lexuesit kur i kërkohet të përfytyrojë atë që nuk mund ta prekë dhe as ta shohë.
Skena në varreza, për shembull, me shkëlqimin e saj, me zymtësinë e saj, me paqëndrueshmërinë e saj, me vetëtimat e saj të befta të kuptimit, padyshim i afrohet aq shumë thelbit të mendjes saqë, të paktën në leximin e parë, është e vështirë të mos e përshëndesësh si një kryevepër. Nëse duam vetë jetën këtu, atëherë, me siguri, e kemi.
Në të vërtetë, gjendemi duke u përpjekur mjaft ngathët të shpjegojmë se çfarë tjetër dëshirojmë dhe për çfarë arsye një vepër me një origjinalitet të tillë ende nuk arrin të krahasohet, sepse duhet të marrim shembuj të lartë me Youth ose The Mayor of Casterbridge. Mund të themi thjesht se dështon për shkak të varfërisë relative të mendjes së shkrimtarit dhe ta lëmë me kaq. Por është e mundur të shkojmë pak më tej dhe ta pyesim veten nëse ndjesinë tonë se ndodhemi në një dhomë të ndritshme, por të ngushtë, të kufizuar dhe të mbyllur, në vend që të jemi të zgjeruar e të çliruar, nuk mund t’ia atribuojmë ndonjë kufizimi që imponohet nga metoda po aq sa edhe nga mendja.
A është metoda ajo që e pengon fuqinë krijuese? A ndodh për shkak të metodës që nuk ndihemi as gazmorë, as zemërgjerë, por të përqendruar brenda një vetjeje e cila, pavarësisht prej dridhjes së ndjeshmërisë së saj, nuk përqafon dhe nuk krijon kurrë atë që ndodhet jashtë saj dhe përtej saj? A kontribuon theksi i vendosur, ndoshta në mënyrë didaktike, mbi të pahijshmen në krijimin e një efekti diçka këndor dhe të izoluar? Apo është thjesht se, në çdo përpjekje të një origjinaliteti të tillë, sidomos për bashkëkohësit, është shumë më e lehtë të ndiejnë atë që i mungon sesa të emërtojnë atë që ajo jep?
Në çdo rast, është gabim të qëndrosh jashtë dhe t’i shqyrtosh “metodat”. Çdo metodë është e drejtë nëse shpreh atë që dëshirojmë të shprehim kur jemi shkrimtarë; që na afron me synimin e romancierit kur jemi lexues. Kjo metodë ka meritën se na afron me atë që ishim të gatshëm ta quanim vetë jetën. A nuk na sugjeroi leximi i Ulysses se sa shumë nga jeta përjashtohet ose shpërfillet dhe a s’ishte tronditëse të hapje Tristram Shandy-n apo edhe Pendennis-in dhe të bindeshe prej tyre se nuk ekzistojnë vetëm aspekte të tjera të jetës, por edhe aspekte më të rëndësishme?
Sido që të jetë, problemi që i shtrohet romancierit sot, ashtu siç supozojmë se i është shtruar edhe në të kaluarën, është të gjejë mënyra për të qenë i lirë të hedhë në letër atë që zgjedh. Ai duhet të ketë guximin të thotë se ajo që i intereson nuk është më “kjo”, por “ajo”: vetëm nga “ajo” duhet ta ndërtojë veprën e tij.
Për modernët, “ajo”, pika e interesit, ka shumë gjasa të gjendet në vendet e errëta të psikologjisë. Menjëherë, pra, theksi bie pak më ndryshe; theksi vendoset mbi diçka që deri atëherë ishte shpërfillur; menjëherë bëhet i nevojshëm një kontur tjetër i formës, i vështirë për ne për t’u kapur, i pakuptueshëm për paraardhësit tanë.
Askush përveç një moderni, ndoshta askush përveç një rusi, nuk do ta kishte ndier interesin e situatës që Çehovi e ka shndërruar në tregimin e shkurtër të quajtur “Gusev”. Disa ushtarë rusë janë të sëmurë në bordin e një anijeje që po i kthen në Rusi. Na jepen disa copa të bisedave të tyre dhe disa prej mendimeve të tyre; pastaj njëri prej tyre vdes dhe çohet tutje; biseda vazhdon për njëfarë kohe mes të tjerëve, derisa vdes edhe vetë Gusevi dhe, duke u dukur “si një karotë ose një rrepkë”, hidhet në det.
Theksi vendoset në vende kaq të papritura saqë në fillim duket sikur nuk ka fare theks, pastaj, ndërsa sytë mësohen me muzg dhe dallojnë format e sendeve në një dhomë, shohim se sa i plotë është tregimi, sa i thellë dhe sa me të vërtetë, në bindje ndaj vizionit të tij, Çehovi ka zgjedhur këtë, atë dhe tjetrën dhe i ka vendosur së bashku për të krijuar diçka të re.
Por është e pamundur të thuash: “kjo është komike” ose “ajo është tragjike”; dhe nuk jemi as të sigurt, meqë na është mësuar se tregimet e shkurtra duhet të jenë të shkurtra dhe përfundimtare, nëse kjo vepër, e cila është e paqartë dhe e papërfunduar, duhet të quhet fare tregim i shkurtër.
Vërejtjet më elementare mbi fiksionin modern anglez vështirë se mund t’i shmangen ndonjë përmendjeje të ndikimit rus dhe, nëse përmenden rusët, rrezikojmë të ndiejmë se të shkruash për çfarëdo fiksioni tjetër përveç atij rus është humbje kohe.
Nëse duam ta kuptojmë shpirtin dhe zemrën, ku tjetër do ta gjejmë një kuptim me thellësi të krahasueshme? Nëse jemi të sëmurë nga materializmi ynë, edhe më i parëndësishmi i romancierëve të tyre, me të drejtën e lindjes, ka një nderim të natyrshëm për shpirtin njerëzor.
“Mëso të bëhesh i afërt me njerëzit… Por le të mos jetë kjo simpati me mendjen, sepse me mendjen është e lehtë, por me zemrën, me dashurinë ndaj tyre”.
Në çdo shkrimtar të madh rus duket sikur dallojmë tiparet e një shenjtori, nëse shenjtëria përbëhet nga simpatia për vuajtjet e të tjerëve, dashuria ndaj tyre dhe përpjekja për të arritur një synim të denjë për kërkesat më të rrepta të shpirtit.
Është shenjtori brenda tyre ai që na huton me ndjenjën e vogëlsisë sonë pa fe dhe i shndërron kaq shumë prej romaneve tona të famshme në xhingla dhe marifete.
Përfundimet e mendjes ruse, kaq gjithëpërfshirëse dhe të dhembshura, janë, ndoshta në mënyrë të pashmangshme, jashtëzakonisht të trishta. Më saktë, në të vërtetë, mund të flisnim për papërfundueshmërinë e mendjes ruse. Është ndjenja se nuk ka përgjigje, se po të shqyrtohet me ndershmëri, jeta paraqet pyetje pas pyetjeje, të cilat duhet të lihen të jehojnë e të vazhdojnë të jehojnë edhe pasi tregimi ka përfunduar, në një pyetjezim të pashpresë, ajo që na mbush me një dëshpërim të thellë dhe, më në fund, ndoshta edhe me një dëshpërim të zemëruar.
Ndoshta ata kanë të drejtë. Pa dyshim ata shohin më larg se ne dhe pa pengesat tona të trasha të të parit. Por ndoshta ne shohim diçka që u shpëton atyre. Përndryshe, pse ky zë proteste do të përzihej me zymtësinë tonë?
Zëri i protestës është zëri i një tjetër qytetërimi, të lashtë, i cili duket se ka ushqyer tek ne instinktin për të shijuar dhe për të luftuar, më shumë sesa për të vuajtur dhe për të kuptuar.
Fiksioni anglez, nga Sternei te Meredithi, dëshmon për kënaqësinë tonë të natyrshme në humor dhe komedi, në bukurinë e tokës, në veprimtaritë e intelektit dhe në shkëlqimin e trupit.
Por çdo përfundim që mund të nxjerrim nga krahasimi i dy fiksioneve kaq të largëta, në mënyrë të pamatshme, nga njëri-tjetri, është i kotë, përveçse nëse na vërshon përpara syve një pamje e mundësive të pafundme të artit dhe na kujton se horizonti s’ka kufi dhe se asgjë, asnjë “metodë”, asnjë eksperiment, edhe sikur të jetë më i çmenduri, nuk është i ndaluar, përveç falsitetit dhe shtirjes.
“Lënda e vërtetë e fiksionit” nuk ekziston. Gjithçka është lëndë e përshtatshme për fiksionin, çdo ndjenjë, çdo mendim, çdo cilësi e mendjes dhe e shpirtit mund të vihet në përdorim. Asnjë perceptim nuk është i papërshtatshëm.
Dhe nëse mund ta përfytyronim artin e fiksionit të merrte jetë dhe të qëndronte mes nesh, ai pa dyshim do të na kërkonte ta thyenim dhe ta sfidonim, po aq sa ta nderonim dhe ta donim, sepse pikërisht kështu ripërtërihet rinia e tij dhe sigurohet sovraniteti i tij.
Përktheu nga anglishtja: Egzona Berisha. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”, botues “Armagedoni”.



