Egnatia, gati për një tjetër mbrëmje historike
Kampionia e Shqipërisë në futboll, Egnatia rikthehet në fushën e saj për një tjetër mbrëmje të madhe në arenën evropiane.
Skuadra nga Rrogozhina do të luajë në stadiumin “Arena Egnatia” ndeshjen e parë të play-offit kualifikues të Ligës së Evropës kundër ekipit nga Norvegjia, Lillestrom.
Kjo ndeshje luhet sot prej orës 19:00 dhe është e para prej tri ndeshjeve që ekipet shqiptare i luajnë këtë mbrëmje në Evropë.
Pas përmbysjes spektakolare ndaj Shamrock Rovers, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në play-offin e Ligës së Evropës, duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e ligës të Ligës së Konferencës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Nevil Dede vjen në këtë përballje me moral të lartë, pas fitores së jashtëzakonshme 5-1 ndaj Shamrock Rovers në “Arena Egnatia”.
Ky rezultat jo vetëm që përmbysi humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Irlandë, por i dha klubit rrogozhinas një tjetër mundësi për të vijuar rrugëtimin në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm evropian për klube.
Përballë do të jetë Lillestrom, një skuadër e madhe norvegjeze kurse për Egnatian është një tjetër sfidë e rëndësishme në aventurën e saj evropiane.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Rrogozhinë, ndërsa përballja e kthimit do të luhet javën e ardhshme në Norvegji.
Egnatia synon të vijojë të shkruajë historinë dhe të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare edhe pse tashmë ka të sigurt paraqitjen në fazën e ligës të Ligës së Konferencës.



