Elon Musku ka mantrën për ta zhbërë krizën klimatike

21 gusht 2026 | 08:44

Është e thjeshtë, thotë kreu i SpaceX-it – sipas një gjëje të quajtur “shkalla e Kardashevit”, thjesht duhet ta zhvendosim prodhimin e energjisë “jashtë planetit”.

Burimi: The Guardian

Herën tjetër kur moti i sjellë Mbretërisë së Bashkuar 61 ditë pa shi dhe ne pyesim veten me nge nëse ky është fundi, ekziston një term që mund ta përmendim për të na qetësuar. Ashtu si kur pëshpëritim me rruzare, ose fusim gishtat në veshë dhe mërmërisim, kjo frazë duhet përsëritur nën zë pa pushim – “shkalla e Kardashevit, shkalla e Kardashevit” – një koncept që është në modë në teknologji, shumë i parapëlqyer nga Elon Musku, dhe pikërisht ajo që kemi pritur. Shkalla e Kardashevit është përgjigjja si për fundin tonë të afërt, ashtu edhe për ankthin tonë rreth tij – dhe, nëse vendosim të besojmë në të, nuk do të na duhet t’i kushtojmë as edhe një mendim të vetëm krizës klimatike derisa nga rubineti të bjerë pika e fundit.

Kjo është ideja dhe është e njohur për këdo që ka parë miliarderët e teknologjisë të marrin kriza të pazgjidhshme e të zakonshme dhe të vendosin se, mes masave dhe propozimeve që janë në diskutim, përbërësi jetik që ka munguar deri tani kanë qenë ata vetë. A ju kujtohet kur Jeff Bezos, në vend që të bënte diçka të zakonshme dhe prej dështaku, si financimi i arsimit publik duke siguruar që Amazon-i të paguante të njëjtën normë tatimore si amerikanët e zakonshëm, vendosi në vend të kësaj të rishpikte institucionet parashkollore?

Ose Mark Zuckerbergu dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan, të cilët gjithashtu ngritën disa shkolla – nuk kërkohej ekspertizë, vetëm një qëndrim që synon yjet dhe një pasion për ndryshimin. Duke rrezikuar të tingëlloj e pandjeshme, në këtë kategori mund të përfshihet madje edhe shmangia e trajtimit tradicional të kancerit nga Steve Jobsi; pasi u diagnostikua me kancer të pankreasit në vitin 2003, themeluesi i Apple-it e shtyu operacionin në favor të kurave të tij holistike dhe dietike. Asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk ka qenë e suksesshme.

E dimë se çfarë është kjo: bindja e rëndomtë e miliarderëve të teknologjisë se shkëlqimi i tyre i veçantë është një lloj çelësi universal për tërë dijen njerëzore, të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, i fuqizuar si me karburant raketash nga inovacioni dhe i çliruar nga kufizimet që vijnë me alternativën e mërzitshme e të ngadaltë: të dish vërtet gjëra për një fushë të specializuar. Nëse ata ofrojnë një zgjidhje magjike për çfarëdo numri problemesh, joshja për ne të tjerët është e fuqishme. Kush prej nesh, kur rezervon një fluturim ose hedh sytë drejt qiellit pa re, nuk ka menduar me një ndjenjë faji: ah, mirë, në njëfarë pike dikush do të shpikë, fjala vjen, një mburojë a diçka të tillë dhe gjithçka do të përfundojë mirë.

Kjo na sjell te shkalla e Kardashevit, e emërtuar sipas astronomit sovjetik Nikolai Kardashev, i cili në vitin 1964 krijoi një sistem për të matur suksesin e çdo qytetërimi në bazë të aftësisë së tij për të shfrytëzuar energjinë. Kardashevi hartoi një shkallë të lëvizshme të përdorimit të energjisë në të cilën, sipas matjeve të tij, njerëzimi nuk kishte arritur as “tipin I” – sepse, ne as nuk mund ta kontrollojmë motin, as nuk mund ta shfrytëzojmë plotësisht energjinë e diellit. Niveli më i lartë në këtë skemë ishte tipi III, i cili përshkruan një qytetërim që ka shfrytëzuar energjinë e galaktikës – dhe, përtej tij, nivele të tjera teorike, përfshirë tipin IV (energjinë e universit) dhe tipin V (multiversin), për t’iu kundërvënë varësisë së tanishme të qytetërimit tonë mendjelehtë te lëndët djegëse fosile.

Mund ta kuptoni pse kjo është tërheqëse në Luginën e Silicit [Silicon Valley]: shkalla e Kardashevit ka një lloj futurizmi nostalgjik, të njohur për cilindo që ka studiuar garën hapësinore ose veprat e L Ron Hubbardit, dhe mbështetet në terma zbavitës si “galaktik”, “hapësirë-kohë” dhe “baza hënore”. Nëse ky nuk është mendim pa kufij, nuk e di çfarë është, dhe Musku i është futur me vrull. Ai ka sugjeruar se një zbatim i natyrshëm i ideve të Kardashevit është zhvillimi i infrastrukturës hapësinore – në fakt, zhvendosja e prodhimit të energjisë “jashtë planetit”, së bashku me qendrat e të dhënave në orbitë – duke lëshuar miliona njësi në orbitë për ta kapur më mirë energjinë e diellit.

Tingëllon jashtëzakonisht interesante. Dhe, ndonëse vizionarëve u duhen ambicie të mëdha si dhe aftësia për t’i bërë ballë talljes, këto propozime kërkojnë edhe nga ne një pezullim të vullnetshëm të mosbesimit. Nëse, për shembull, nuk e lejoni mendjen që të kthehet tek ai rasti kur Musk u kërkoi inxhinierëve të Tesla-s të projektonin një nëndetëse të vogël për të nxjerrë ata fëmijë të bllokuar në një shpellë, ose te çfarëdo që bëri në “departamentin e efikasitetit qeveritar” (DOGE) të ShBA-së për të cilin tani të gjithë në Partinë Republikane duken të etur të shtiren sikur nuk ka ndodhur kurrë, mund ta bindni veten se krijuesi i Starlink-ut mund të ketë kapur diçka. Shkalla e Kardashevit, shkalla e Kardashevit – a nuk ndiheni më mirë, që tani? /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familjet e mëdha shqiptare kanë mundur të përcjellin nëpër dhimbje…