OHTK dhe OVLUÇK nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e kategorive të luftës

21 gusht 2026 | 12:12

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK) kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, me synim mbështetjen e veteranëve, invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe anëtarëve të organizatës.

Marrëveshja parasheh mundësi për akomodimin e delegacioneve, organizimin e trajnimeve, konferencave dhe aktiviteteve të përbashkëta. Gjatë ceremonisë u diskutuan edhe sfidat me të cilat përballen kategoritë e dala nga lufta.

Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, tha se memorandumi synon të ofrojë mbështetje konkrete për OVLUÇK-në, përfshirë akomodimin e delegacioneve nga jashtë dhe përfshirjen e veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe fëmijëve të tyre në trajnime profesionale.

Sogojeva theksoi se OHTK-ja, përmes bizneseve anëtare dhe projekteve të saj, mund të ofrojë mundësi për akomodim në rajone të ndryshme të Kosovës, si dhe për organizimin e trajnimeve dhe konferencave të përbashkëta.

Ndërkaq, kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, tha se memorandumi është mirëpritur nga organizata dhe se çështja e kategorive të dala nga lufta duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e shoqërisë dhe institucioneve.

Gucati kritikoi Qeverinë për, siç tha, mungesën e mbështetjes ndaj veteranëve dhe kategorive të tjera të luftës. “Me këtë qeveri nuk kemi raporte, as bisedime, as takime. Për gjashtë vjet, asnjë kërkesë nuk është realizuar nga kjo qeveri”, tha Gucati.

Ai përmendi edhe rastet e veteranëve që po trajtohen jashtë vendit, duke thënë se aktualisht 67 veteranë janë me kancer, ndërsa 24 prej tyre po trajtohen në Turqi, ndërsa të tjerë në vende të ndryshme të Evropës dhe në Kosovë.

Sipas Gucatit, institucionet kanë obligim ligjor për të ofruar mbështetje shëndetësore për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aeroplan i vogël i tipit “Cessna 441” është rrëzuar…