Gërxhaliu: Reformat me vonesë, fondet e Planit të Rritjes në rrezik
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësimin për vonesat në zbatimin e reformave të lidhura me Planin e Rritjes, duke paralajmëruar se koha në dispozicion po ngushtohet.
Gërxhaliu ka thënë se, me afatin përfundimtar të Planit të Rritjes që lidhet me vitin 2027, vonesat mund të sjellin jo vetëm humbjen e mundësive për investime, por edhe rrezikun që fondet e pashfrytëzuara të rishpërndahen te vendet e tjera të rajonit.
“Çështja nuk duhet parë vetëm si problem financiar, por si një test për efikasitetin institucional, seriozitetin e reformave dhe aftësinë e Kosovës për të shfrytëzuar mundësitë që ofron integrimi europian”, ka shkruar Gërxhaliu.
Sipas tij, qindra milionë euro që mbeten pezull përfaqësojnë një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik, modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.
Në këtë drejtim, ai ka bërë thirrje që përshpejtimi i reformave, forcimi i institucioneve dhe përgatitja e projekteve konkrete të vendosen në mesin e prioriteteve.
“Reformat me vonesë, fondet në rrezik”, ka shkruar Gërxhaliu në Facebook.



