Rusinovci: Fermerët duhet t’i përshtatin kulturat dhe varietetet bujqësore me kushtet klimatike

23 gusht 2026 | 13:33

Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive.

Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm. Ekspertët kanë thënë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes.

Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.

Imer Rusinovci, profesor i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se ndryshimet klimatike dhe moti i paparashikueshëm po prekin si kulturat e mbjella në vjeshtë, ashtu edhe ato të mbjella në pranverë.

“Gjithmonë i kemi në rrezik kulturat bujqësore, që mbillen në vjeshtë, nga reshjet intensive dhe vërshimet e papritura. Edhe kulturat pranverore po ashtu sulmohen, posaçërisht nga thatësia e madhe”, ka thënë Rusinovci për “Radion Evropa e Lirë”.

Kulturat që mbillen në vjeshtë përfshijnë grurin, elbin, thekrën, tërshërën dhe përzierjet foragjere, ndërsa në pranverë mbillen misri, patatja, fasulja, luledielli, soja dhe shumica e perimeve, si specat, domatet e trangujt, si dhe shalqiri, pjepri dhe kungulli.

Sipas Rusinovcit, fermerët duhet t’i përshtatin kulturat dhe varietetet me kushtet klimatike dhe lartësinë mbidetare.

Në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, temperaturat janë më të ulëta dhe vegjetacioni i të mbjellave mund të vonohet për rreth një muaj, ndërsa në rajonet më të ulëta rritet rreziku nga thatësira.

“Duhet të rekomandohen hibridet që janë më të hershme, dhe që kanë periudhë vegjetative më të shkurtër (në lartësitë mbidetare mbi 700 metra). Ndërkaq, në rrethanat e thatësisë (në rajonet më të ulëta), duhet rekomanduar hibridet që janë më të rezistueshme”,  ka thënë ai.

Lartësia mesatare mbidetare e Kosovës, sipas të dhënave që përdor Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, është rreth 800 metra. Pika më e ulët është rreth 300 metra, ndërsa më e larta 2.656 metra.

“Për shembull, afati optimal agroteknik i mbjelljes së grurit në Kosovë është tetori. Nëse ka paralajmërim se ka çrregullime moti, thatësi… mbjellja mund të bëhet deri më 10 nëntor. Por, te mbjelljet e vonuara, për shkak të ndryshimeve klimatike, duhet shtuar 5 deri 10 për qind repromaterial (fare dhe pleh) më shumë se zakonshëm”, ka thënë ai.

Rusinovci ka thënë se fermerëve duhet t’u ofrohet një strukturë më e llojllojshme e kulturave bujqësore.

“Ato që janë më rezistente ndaj luhatjes së temperaturave duhet t’i avancojmë, ndërkaq ato që nuk janë t’i eliminojmë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit,…