Mbreti i Norvegjisë në gjendje të rënduar shëndetësore

24 gusht 2026 | 14:30

Gjendja shëndetësore e Mbretit të Norvegjisë, Harald V, është përkeqësuar, ka njoftuar Pallati Mbretëror, ndërsa monarku 89-vjeçar vazhdon të qëndrojë i shtruar në Spitalin Universitar të Oslos, Rikshospitalet.

Mbreti po merr trajtim me antibiotikë për një infeksion bakterial në qarkullimin e gjakut. Sipas Pallatit Mbretëror, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes, Harald V ka pranuar të vazhdojë trajtimin.

Ai do të qëndrojë në spital dhe do të jetë në pushim mjekësor nga detyrat mbretërore deri në një njoftim të mëtejshëm.

Harald V u shtrua në spital rreth një javë më parë, ndërsa detyrat e tij janë marrë përkohësisht nga djali i tij, Princi i Kurorës Haakon, 53 vjeç, i cili po shërben si regjent.

Harald V, i cili është në fron që nga viti 1991, është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit. Në javët e fundit ai është trajtuar me kortizon për një sëmundje të rrallë të gjakut, anemi hemolitike, e cila shkakton pakësimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe mund të sjellë lodhje e vështirësi në frymëmarrje.

Në vitin 2024, familja mbretërore norvegjeze njoftoi se, për shkak të moshës, Mbreti Harald do të reduktonte në mënyrë të përhershme angazhimet e tij publike. Po atë vit, atij iu vendos një stimulues kardiak, pasi ishte sëmurë gjatë një qëndrimi në Malajzi.

Viti 2026 ka qenë veçanërisht i vështirë për familjen mbretërore norvegjeze. Bashkëshortja e Princit të Kurorës Haakon, Princesha e Kurorës Mette-Marit, iu nënshtrua një transplanti të mushkërive në qershor, pasi ishte diagnostikuar në vitin 2018 me një formë të rrallë të fibrozës pulmonare.

Ndërkohë, djali i Mette-Marit, Marius Borg Hoiby, u dënua me katër vjet burg, pasi u shpall fajtor për dy akuza për përdhunim. Høiby, 29 vjeç, kishte mohuar akuzat më të rënda, ndërsa avokatët e tij kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin.

Familja mbretërore është përballur gjithashtu me polemika pas publikimit të dokumenteve që zbuluan kontakte të shpeshta të Mette-Marit me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Mette-Marit më vonë i kërkoi falje Mbretit dhe Mbretëreshës së Norvegjisë për marrëdhënien e saj trevjeçare me Epstein dhe pranoi se kishte treguar “gjykim të dobët”. Në një intervistë televizive kombëtare, ajo tha gjithashtu se do të kishte dashur të mos e kishte takuar kurrë.

Ndërsa Mbreti Harald vazhdon të marrë trajtim në spital, Princi i Kurorës Haakon pritet të vijojë të ushtrojë funksionet e regjentit deri në rikthimin e monarkut në detyrat e tij, në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i përfaqësuar nga kryesuesi…