Vrasja në Malishevë, Haxhiu: Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me vrasjen e 25-vjeçares në Malishevë, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit nga organet e drejtësisë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu ka thënë se shoqëria nuk mund të konsiderohet e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta edhe në shtëpitë e tyre.
“Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë dhe të veprojnë me gjithë përgjegjësinë që kërkon një rast i tillë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se vrasja e 25-vjeçares, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë, e ka tronditur thellë shoqërinë.
“Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre. As familja dhe as martesa nuk mund të përdoren për ta fshehur apo arsyetuar dhunën”, ka shkruar ajo.
Sipas Haxhiut, kur një gruaje i rrezikohet jeta, rasti nuk mund të trajtohet si çështje private, por si një problem që kërkon veprim institucional.
“Kur një gruaje i rrezikohet jeta, kjo nuk është më çështje private. Është një çështje që na përket të gjithëve dhe përballë së cilës institucionet duhet të veprojnë pa vonesë”, ka shkruar ajo.
Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës për humbjen e saj.



