Haradinaj për vdekjen e Kryeziut: Kosova humbi një burrështetas që la gjurmë të pashlyeshme
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen e profesorit dhe ish-politikanit Eqrem Kryeziut.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se Kosova ka humbur një intelektual të shquar, profesor të përkushtuar të letërsisë dhe burrështetas që, sipas tij, la gjurmë të pashlyeshme në proceset e shtetndërtimit.
“Me Profesorin kemi pasur një miqësi të kahershme dhe respekt të ndërsjellë. Ka qenë një intelektual i guximshëm, i cili nuk ka ngurruar kurrë të flasë hapur apo të përkrahë njerëz e procese përtej vijave të partisë së tij, gjë që e bënte një politikan të veçantë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Kryeziu do të kujtohet për profilin e tij intelektual, qytetarinë dhe kontributin në arsim e politikë.
“Ne që e njohëm nga afër do të kujtojmë gjithmonë me respekt të lartë bisedat dhe bashkëpunimin me të”, ka shkruar Haradinaj.
Eqrem Kryeziu ka qenë profesor i letërsisë dhe figurë e angazhuar në jetën politike e publike të Kosovës.



