DioGuardi: Për shekuj shqiptarët janë varrosur nga armiqtë e tyre

25 gusht 2026 | 13:05

Ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi, ka deklaruar se për shekuj me radhë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të flasin për veten dhe se çështja shqiptare ka qenë e vështirë të trajtohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për angazhimin e tij në mbështetje të shqiptarëve, DioGuardi tha se një nga arsyet që e shtyu të kandidonte për Kongres ishte pikërisht pamundësia e shqiptarëve për ta paraqitur vetë çështjen e tyre në Uashington.

“Ka qenë shumë e vështirë të merremi me çështjen shqiptare, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse ne kemi një sistem drejtësie dhe të drejtash të njeriut që ndoshta është më i miri në botë. Dhe shumë njerëz marrin pjesë në të, shumë njerëz duan të kenë diçka për të thënë, për të mbrojtur familjet e tyre, njerëzit e tyre, grupet e tyre etnike. Dhe kjo i ka lënë në hije shumë prej gjërave që ne donim të thoshim për popullin shqiptar, sepse për shekuj me radhë shqiptarët janë varrosur nga armiqtë e tyre! Ata nuk kishin asnjë mënyrë për të folur për veten!”, ka thënë DioGuardi.

Ai theksoi se angazhimi i tij nuk kishte karakter komercial dhe se nuk kishte marrë pagesë nga askush për punën në mbështetje të çështjes shqiptare.

“Dhe kjo nuk ishte një ndërmarrje komerciale. Unë kurrë nuk mora pagesë nga askush. Ne mblidhnim vetëm kontribute bamirësie”, deklaroi ai.

DioGuardi foli edhe për situatën aktuale në Kosovë, duke shprehur shqetësim për zhvillimet politike dhe ndikimin e Serbisë në rajon.

“Serbët po mobilizohen… Nuk e kisha menduar kurrë se do të riktheheshin kështu, por po rikthehen”, tha ai.

Ish-kongresisti amerikan foli edhe për luftën në Ukrainë dhe sulmet ndaj civilëve, duke kritikuar qasjen e administratës amerikane ndaj mbështetjes për Ukrainën.

Duke folur për Kosovën, DioGuardi tha se nuk mund ta mbrojë të gjithë botën, por se angazhimi i tij do të vazhdojë të jetë i fokusuar në Kosovë.

“Tani, ku na lë kjo? Nuk e di se ku shkojmë prej këtu. Nuk mund ta mbroj botën, nuk mund t’i mbroj të gjithë, por mund ta mbroj vetëm Kosovën”, ka deklaruar ai.

DioGuardi ka vlerësuar edhe rolin e tij dhe të bashkëshortes Shirley DioGuardi në mbështetje të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe të së vërtetës për Kosovën.

“Ju lutem, pranojeni të vërtetën, edhe nëse mendoni se nuk është e përshtatshme apo se nuk është e plotë dhe se ekziston edhe një histori tjetër që duhet treguar. Mos vazhdoni ta ngatërroni historinë më të mirë që kemi për Kosovën me të gjitha historitë e tjera, në mënyrë që njerëzit të hutohen”, ka thënë ai. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kristjan Asllani duket gjithnjë e më pranë largimit nga Interi,…