Hana Beiqi e 13-a në kualifikimet e 50 metrave stil i lirë në “Taranto 2026”
Notarja më e mirë e Kosovës, Hana Beiqi është renditur e 13-a në kualifikimet e disiplinës 50 metra stil i lirë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Beiqi e ka përfunduar garën me kohën 26 sekonda e 72 të qindtat, ndërsa në këtë disiplinë kanë garuar gjithsej 22 notare. Për të siguruar një vend në finale nevojitej koha 25 sekonda e 89 të qindtat, me tetë notaret më të shpejta që kanë kaluar tutje.
Në të njëjtën disiplinë ka garuar edhe Riga Shala, e cila ka përfunduar garën në vendin e fundit me kohën 28 sekonda e 11 të qindtat.
Në 50 metra stil i lirë te meshkujt ka garuar edhe Dior Krasniqi. Ai është renditur i 18-i dhe i fundit nga notarët që kanë startuar, me kohën 24 sekonda e 97 të qindtat. Notari i parafundit kishte kohën 23 sekonda e 93 të qindtat, ndërsa koha e fundit që ka siguruar finalen ishte 22 sekonda e 73 të qindtat.
Ndërkohë, në disiplinën 100 metra shpinë ka garuar Erina Idrizaj, e cila është renditur e nënta nga 11 notare. Idrizaj ka përfunduar garën me kohën 1 minutë, 8 sekonda e 56 të qindtat, ndërsa notarja e tetë, e cila ka siguruar kualifikimin në finale, kishte kohën 1 minutë, 4 sekonda e 33 të qindtat. Idrizaj ka arritur të lërë pas notare nga Libani dhe Shqipëria.



