Palatova pas takimit me Sveçlën: BE-ja kërkon hetim të pretendimeve për sjellje të pahijshme të Policisë së Kosovës
Ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Eva Palatova, është takuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku në fokus ka qenë sundimi i ligjit dhe karakteri multietnik i Kosovës.
Sipas Bashkimit Evropian, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të mbështesin sundimin e ligjit dhe të respektojnë karakterin shumëtnik të vendit.
Në takim është diskutuar edhe për pretendimet lidhur me veprime të pahijshme nga ana e Policisë së Kosovës. BE-ja ka kërkuar që këto pretendime të hetohen, ndërsa çdo masë apo veprim i mëtejshëm duhet të ndërmerret në përputhje me procedurat e rregullta ligjore.
Palatova ka përcjellë gjithashtu qëndrimin e BE-së se unioni vazhdon ta mbështesë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Në këtë drejtim, BE-ja ka theksuar se edhe Kosova duhet ta bëjë pjesën e saj përmes zbatimit të reformave dhe respektimit të parimeve themelore të sundimit të ligjit.



