PDK sërish para Qeverisë: Kërkon konstituimin e Kuvendit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zhvilluar edhe sot një aktivitet para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku bashkë me asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Mitrovicës ka kërkuar rikthimin e institucioneve në rendin kushtetues dhe konstituimin e Kuvendit.
Përmes një njoftimi, PDK-ja ka bërë thirrje për ndaljen e asaj që e cilëson si “uzurpim të institucioneve”, duke theksuar se qytetarët presin punë, mbështetje dhe zgjidhje, ndërsa vendi ka nevojë për zhvillim dhe përparim.
“Stop uzurpimit të institucioneve.
Rikthim në rendin kushtetues. Konstituim të Kuvendit”, thuhet në mesazhin e PDK-së.
Partia opozitare ka deklaruar se do të vazhdojë aktivitetet e saj dhe se nuk do të tërhiqet nga kërkesat për funksionalizimin e institucioneve.
“Nuk do të zmbrapsemi. Nuk do të ndalemi. Deri në fitoren e shtetit dhe të qytetarëve!”, ka theksuar PDK-ja.



