Konjufca deklarohet i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Në seancën e rigjykimit të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
“Jo, nuk ndihem fajtor”, është shprehur Konjufca, raporton Betimi për Drejtësi.
Seanca po vazhdon me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.
Por, Gjykata e Apelit e prishi vendimin e Themelores dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhjeje ka hedhur gaz lotsjellës në sallë.



