Konjufca për aktakuzën ndaj Shehollit: Rrjetet e spiunazhit synojnë destabilizimin

26 gusht 2026 | 12:14

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka komentuar aktakuzën për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit, duke deklaruar se institucionet e Kosovës gjatë viteve të fundit kanë intensifikuar luftën kundër rrjeteve të tilla.

Sipas tij, këto struktura kontrollohen, financohen dhe orkestrohen nga Serbia, ndërsa vetëm gjatë dy-tri viteve të fundit janë arrestuar shtatë ose tetë persona.

“Institucionet e Kosovës këto tre-katër vitet e fundit kanë pasur një angazhim më të madh se më përpara për të goditur rrjetet e spiunazhit brenda Republikës së Kosovës. Këto kryesisht kanë ardhur, është një rrjet i spiunazhit i kontrolluar, i financuar dhe i orkestruar nga Serbia. Shtatë ose tetë prej tyre deri tash, vetëm këto dy-tri vitet e fundit janë arrestuar. Unë i inkurajoj, domethënë, institucionet e organit të rendit, edhe të institucionit të gjyqësisë, të drejtësisë, që të jenë gjithnjë më aktivë sa i përket zbulimit, sa i përket dënimit të këtyre personave. Qëllimi i këtyre është shumë i keq, tentojnë me destabilizu Kosovën, e performojnë një luftë hibride dhe speciale kundër personaliteteve të caktuara, kundër qeverisë, kundër kryeministrit Kurti. Domethënë qëllimi i tyre është ky. Prandaj përshëndes çdo arrestim që është bërë edhe këto javët e fundit”, ka deklaruar ai.

Sa i përket vizitës së Shehollit në zyrën e kryeministrit, Konjufca ka deklaruar se institucionet mund të mos kenë pasur kapacitet për ta verifikuar atë.

“Sa i përket asaj që po e thoni ju lidhur me vizitën aty, mendoj që ndoshta nuk e kanë pasur kapacitetin institucionet me verifiku atë person. Sepse po të ishte verifikuar, nuk ma merr mendja që kishte depërtuar në zyrën e kryeministrit. Ai ka qenë në kuadër të një delegacioni të pakicave, të komuniteteve joshumicë që janë në Kosovë, diku kanë qenë nëntë ose dhjetë persona dhe ai kishte arritur me iu bashku atij delegacioni dhe me qenë pjesë aty e vizitës. Po me vetë faktin që tash e keni në burg, unë mendoj që kjo është tregues i qartë i orientimit të qeverisë sonë”, ka deklaruar ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatmir Sheholli për dy vepra penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

Sheholli tash e disa muaj gjendet në paraburgim nën dyshimin për spiunazh për BIA-n serbe.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë, e ka arrestuar më 9 tetor 2025 Fatmir Shehollin, nën dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e grupit parlamentar të partisë Demokratike të Kosovës edhe…