Deputetët e PDK-së sërish në sallën e Kuvendit, Reçica: Vandali Kurti s’mund t’ua marrë deputetëve mandatin, Kuvendi të konstituohet
Deputetët e grupit parlamentar të partisë Demokratike të Kosovës edhe sot (e mërkurë), në orën 11:00, kanë qenë të pranishëm në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se Albin Kurti nuk mund t’ua marrë deputetëve mandatin që ua kanë dhënë qytetarët me votë.
“Një vandal politik, që përgjatë gjithë karrierës së tij ka ditur vetëm një gjë: si të shkatërrojë dhe asnjëherë si të ndërtojë. Vandali Albin Kurti po harron se ky shtet nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është pronë private. Kuvendi nuk është pronë private. Republika e Kosovës nuk është pronë private”, ka theksuar ai.
Reçica e ka ftuar Kurtin të kthehet në institucione dhe të ndalojë përpjekjet për ta rrënuar rendin juridik, kushtetues dhe institucional të Republikës së Kosovës.
“Historia ta ka dhënë mundësinë që të dalësh edhe në mal – e ke refuzuar atëherë. Nuk mund ta rikuperosh sot. Kthehu brenda sistemit kushtetues. Kthehu brenda rregullave të Republikës. Eja në Kuvend. Lejoje procesin demokratik të ecë. Sepse politika brenda institucioneve quhet demokraci. Politika jashtë institucioneve, kundër rregullave dhe mbi Kushtetutën, quhet vandalizëm”, ka shtuar ai.
Duke theksuar se dëmi institucional nuk po i bëhet PDK-së ose një partie, as një individi, por shtetit të Kosovës, Reçica ka kërkuar që kryesuesi i seancës sipas moshës, Avni Dehari, ta thërrasë seancën konstituive.
“Ne do të vijmë çdo 48 orë. Do të kërkojmë seancën. Do të kërkojmë konstituimin. Do të kërkojmë respektimin e rendit kushtetues. Sepse ky Kuvend nuk i takon Albin Kurtit. Nuk i takon Avni Deharit. Nuk i takon PDK-së. Ky Kuvend u takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe më mbani për fjalë: qytetarët e Kosovës dhe vetë Kosova do të fitojnë përballë vandalizmit politik të Albin Kurtit”, ka thënë Reçica.
PDK-ja do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive pas 48 orësh.



