Parandalohet një rast i kontrabandës së mallrave në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës së mallrave përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Më 26 gusht 2026, njësia e Task Forcës–Jugu ka vërejtur një furgon me ngjyrë të bardhë dhe me targa vendore, i cili nga drejtimi i fshatit Tanushë në Maqedoninë e Veriut kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta ndalojnë automjetin pranë brezit kufitar. Gjatë kontrollit, në furgon janë gjetur sasi të konsiderueshme të mallrave, përfshirë 9 mijë e 525 copë çipsa, 700 copë pashteta me peshë nga 95 gramë dhe 750 copë gullash gjedhi me peshë nga 200 gramë.
Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen apo importimin e mallrave. Produktet kishin mbishkrime të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara vlerësohet të jetë mbi 5 mijë euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore që dyshohet se janë shmangur.
Pas veprimeve procedurale, mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor. Rasti do të procedohet më tej nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës.



