Çështja e personave të zhdukur, Ambasada e Gjermanisë: Serbia të bashkëpunojë me Kosovën
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga Serbia bashkëpunim të plotë me institucionet kosovare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999, si dhe qasje në dokumentacionin përkatës.
Deklarata e Ambasadës gjermane ka ardhur pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të hapë dosjet e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave, e cila dyshohet për përfshirje në masakrat në Drenicë dhe në pjesë të tjera të Kosovës.
Ambasada e Gjermanisë ka rikujtuar se në vitin 2023, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur.
“Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ndërmorën një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së rasteve të personave të zhdukur duke miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, sipas së cilës u krijua Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur”, ka thënë Ambasada e Gjermanisë në një përgjigje për “Klankosova.tv”.
Sipas ambasadës, një nga detyrat kryesore të këtij komisioni, ku bëjnë pjesë përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, është sigurimi i qasjes në dokumentacionin që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Ndër detyrat e komisionit, pjesë e të cilit janë si Kosova ashtu edhe Serbia, është të sigurojë qasje në të gjithë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve të ofrojnë qasje në informacion të saktë dhe të besueshëm në lidhje me personat e zhdukur dhe varret masive të dyshuara”, ka theksuar Ambasada e Gjermanisë.
Ambasada gjermane ka bërë me dije se gjithashtu se pret nga Serbia bashkëpunim të plotë me institucionet homologe të Kosovës në proceset hetimore dhe gjyqësore.
“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me homologët e saj të Kosovës në hetimet dhe gjyqet në vazhdim, në përputhje me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Ligjore”, ka deklaruar Ambasada e Gjermanisë.



