Prekazi është kujtesë, është qëndresë, është gjak dhe sakrificë
Prekazi nuk është vetëm një vend në hartën e Kosovës. Prekazi është kujtesë, është qëndresë, është gjak dhe sakrificë. Është vendi ku u rritën burra që nuk iu përkulën kurrë pushtuesit dhe që e deshën lirinë më shumë se jetën. Në mesin e atyre burrave ishte edhe babai im, Sherif Jashari (10.11.1951 – 07.03.1998).
Babai im lindi dhe u rrit në Prekaz, në një familje me tradita dhe edukatë atdhetare. Që i ri u përball me padrejtësitë e regjimit serb. Punoi në Kombinatin “Trepça”, por pas masave të dhunshme të vitit 1990 e la punën në shenjë proteste. Për të mbajtur familjen, punoi për disa vite në Slloveni, por zemra e tij mbeti gjithmonë në Kosovë. Ai ishte pjesëmarrës në demonstratat e viteve 1989–1990, bashkë me Adem dhe Hamëz Jasharin dhe shumë bashkëvendës të tjerë. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përndoq dhe u mor në pyetje nga sigurimi serb. Kur Kosova kishte më së shumti nevojë për bijtë e saj, babai im u kthye nga Sllovenia në vendlindje. Nuk mund të qëndronte larg familjes, Prekazit dhe njerëzve të tij. Më 22 janar 1998, kur u sulmua shtëpia e Adem Jasharit, ai ishte ndër të parët që mori armën dhe doli në mbrojtje të familjes Jashari. Më pas mori pjesë edhe në luftime në Çirez, Likoshan dhe në vende të tjera, krah për krah me luftëtarët e lirisë. Por 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e familjes sonë dhe të mbarë Kosovës.
Babai im, Sherif Jashari, qëndroi në Prekaz dhe luftoi deri në fund. Me armën në dorë, përballë forcave serbe, ai nuk u dorëzua. Ra heroikisht më 7 mars 1998, bashkë me shumë anëtarë të familjes dhe bashkëluftëtarë. Unë sot nuk e kujtoj vetëm si babanë tim. E kujtoj si një burrë që zgjodhi të qëndrojë kur shumëkush do të kishte zgjedhur të largohej. E kujtoj si një njeri që e dinte se liria kishte një çmim dhe ishte i gatshëm ta paguante atë me jetën e tij. Jam krenar që jam djali i tij. Por krenaria ime nuk është vetëm për mbiemrin që mbaj. Është për amanetin që ai dhe gjithë dëshmorët e lirisë na lanë. Babai im ra për Kosovën. Ne që mbetëm gjallë kemi detyrimin ta ruajmë kujtimin, sakrificën dhe të vërtetën e tij. Lavdi e përjetshme Heroit Sherif Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Prekazit e të Kosovës!
Shkruan: Samedin Sherif Jashari
https://www.facebook.com/share/v/1CCWT4pMjc/



