“O Idriz, o vëlla” dhe idrizimi i kulturës mediatike
Shukrije Rama
Një grua, në një çast krejt të rastësishëm, këndoi “O Idriz, o vëlla”. Videoja u përhap dhe, brenda pak kohe, u kthye në temë emisionesh, këngësh e remiksesh idriziane. Gruaja nuk kërkoi çmim, nuk tha se kishte bërë art dhe as pretendoi se po shpëtonte kulturën kombëtare. Gjithçka mund të kishte mbaruar bashkë me këngën. Por ne kemi një zanat të vjetër: të voglën e fryjmë derisa të mbulojë ekranin, ndërsa të madhen e lëmë aq të vogël sa mezi shihet.
Gruaja e mbaroi këngën; ne sapo filluam ta kthejmë në ngjarje. Pastaj mediat u vunë në kërkim të Idrizit. E kërkuan me një zell që rrallë ua shohim në aktivitetet kulturore. Videoja u transmetua pa pushim dhe një çast i zakonshëm hyri në studio si ngjarja e ditës. Një këngë spontane mori trajtimin e një edicioni të jashtëzakonshëm ndërsa mediat, që kanë mision të lartë, u vunë në shërbim të një çështjeje të ulët. Po të ishte libër, do t’i kërkonin versionin e shkurtër. Po të ishte ide, do t’u duhej ta kuptonin. Për fat, ishte refren: i shkurtër, i lehtë dhe nuk kërkonte mundim për ta kuptuar. Dija dhe Vlera trokitën në dyert e studiove televizive, por rubrikat e kulturës ishin të zëna: të gjitha minutat ia kishin rezervuar Idrizit.
Por nuk mbaroi me aq. Pas videos së parë erdhën këngët, remikset dhe videoklipet, njëri pas tjetrit. Sepse një Idriz, me sa duket, nuk mjaftonte. Secili ia ndryshoi pak ritmin, i shtoi diçka të vetën dhe na e solli përsëri si të re. Refreni kishte hyrë në prodhim. Brenda pak ditësh, Idrizi nuk ishte më vetëm emër njeriu; po bëhej rrymë muzikore. Kishim një version për çdo shije, por pothuajse të njëjtën ide në secilin prej tyre.
Gruaja e këndoi një herë dhe nuk ka faj. Ajo dha zërin; skenën ia ngritëm ne. As Idrizi nuk ka faj. Ai, me shumë gjasë, po merrej me punët e veta kur mori vesh se ishte bërë ngjarje kulturore. Mediat dhanë mikrofonin, publiku klikimin dhe përsëritja gradën e rëndësisë. Në tregun e vëmendjes nuk fiton më i vlefshmi; fiton më i zhurmshmi. Gjërat e vogla nuk bëhen vetë të mëdha në ekran. Ne i zmadhojmë, ua rezervojmë orarin kryesor dhe pastaj ulemi të vajtojmë për gjendjen e kulturës. Gjithmonë habitemi me rezultatin, ndonëse votën e kemi dhënë vetë – me gisht.
Sot artin e masim me pëlqime, dijen me komente dhe suksesin me ndjekës. Në këtë kandar, mendimi del i lehtë, sepse zhurma e mban gishtin mbi peshore. Idrizi hyri në studio si emër në një refren dhe doli, pa e ditur as vetë, “ambasador i kulturës”.
Problemi nuk është kënga “O Idriz, o vëlla”, e aq më pak gruaja që e këndoi. Problemi është përmasa që ne i dhamë një çasti spontan. Një refren mund ta dëgjojmë njëmijë herë, ndërsa një thënie e mençur na lodh pas rreshtit të tretë. Kultura nuk rrezikohet nga humori dhe as nga një këngë e çastit. Rrezikohet kur mediat zhurmën e përkohshme e paraqesin si vlerë kulturore vetëm sepse ka mbledhur klikime.
Prandaj, mos e thirrni më Idrizin. Ai nuk ka faj. Thirreni kulturën. Ka kohë që nuk dëgjohet në studio.



