Poezitë e poetit Lulzim Tafa botohen edhe në Amerikën Latine

26 gusht 2026 | 23:25

Poeti i mirënjohur kosovar Lulzim Tafa ka udhëtuar drejt Paraguait, me ftesë të institucioneve shtetërore dhe kulturore të këtij vendi, ku do të marrë pjesë në promovimin e librit të tij me poezi në gjuhën spanjolle, “Exposición con sueños”.

Gjatë vizitës së tij në Paraguai, Tafa do të zhvillojë takime me shkrimtarë, studiues dhe lexues të poezisë, si dhe me përfaqësues të institucioneve të rëndësishme kulturore dhe shtetërore të vendit, përcjell KultPlus. Një nga momentet më të veçanta të vizitës do të jetë fjalimi i tij në Parlamentin e Paraguait, ku poeti kosovar do t’u drejtohet deputetëve.

Në kuadër të kësaj vizite, Lulzim Tafa do të nderohet gjithashtu me titullin “Qytetar Nderi” i Asunciónit, kryeqytetit të Paraguait. Po ashtu, ai do të nderohet nga Universiteti i Pilarit dhe do të zhvillojë një orë letrare me nxënës të shkollave të kryeqytetit.
Botimi i poezive të Tafës në gjuhën spanjolle dhe prezantimi i tyre në Paraguai përbëjnë një mundësi të rëndësishme për promovimin e letërsisë shqipe në hapësirën kulturore të Amerikës Latine.

Njoftimin për vizitën e tij në Paraguai, poeti Lulzim Tafa e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke theksuar se nderimet që do t’i pranojë gjatë kësaj vizite i konsideron jo vetëm si vlerësim personal, por edhe si nderim për letërsinë shqipe dhe kombin shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fillimisht, grabiti një çift të moshuarish në zonën e Campo…