Hemihepatektomi e suksesshme në QKUK, shpëtohet pacientja 21-vjeçare me tumor në mëlçi

28 gusht 2026 | 12:56

Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje komplekse kirurgjikale, hemihepatektomia e majtë, te një paciente 21-vjeçare me tumor hepatik.

Rezeksionet e mëlçisë konsiderohen ndër ndërhyrjet më komplekse në kirurgjinë abdominale dhe kërkojnë ekspertizë të lartë kirurgjikale, planifikim të kujdesshëm paraoperativ dhe bashkëpunim të ngushtë të ekipit multidisiplinar.

Ndërhyrja është realizuar me sukses falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit të specializuar të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, të përbërë nga dr. Afrim Tahiri, dr. Fadil Beka, dr. Arsim Çerkinaj dhe dr. Rexhep Ajvazi.

Në ekipin e anestezionit ishte dr. Turkan Karabegler, ndërsa ekipin mbështetës instrumentar e përbënin Lulja Tasholli dhe Valentina Dervishi.

Pas përfundimit të trajtimit dhe monitorimit postoperator, pacientja është liruar në shtëpi në gjendje të stabilizuar dhe me gjendje të mirë shëndetësore.

Ky intervenim vlerësohet si një dëshmi e rëndësishme e kapaciteteve profesionale, ekspertizës dhe përvojës së stafit shëndetësor të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Prishtinë po mbahet protestë për trajtimin e vrasjes…