MASh-i nis monitorimin e librarive, kontrollon zbatimin e katalogut dhe çmimet e teksteve shkollore

28 gusht 2026 | 16:15

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka nisur monitorimin në terren për zbatimin e katalogut zyrtar të teksteve shkollore dhe çmimeve të përcaktuara për to në libraritë në vend.

Sipas MASh-it, katalogu zyrtar është shpërndarë fizikisht në të gjitha libraritë, me qëllim që çmimet e librave të jenë në përputhje me vlerat e miratuara.

Nga kontrollet në terren, ministria ka bërë të ditur se shumica e librarive kanë përfunduar përgatitjet dhe harmonizimin e çmimeve. Në disa raste të izoluara, përgatitjet kanë zgjatur më shumë, duke bërë që disa librari të jenë përkohësisht të mbyllura, ndërsa një pjesë e tyre tashmë kanë rifilluar shitjen.

MASh-i ka deklaruar se monitorimi do të vazhdojë për të siguruar zbatimin e katalogut dhe qasjen e nxënësve në tekstet shkollore me çmimet e përcaktuara.

Për paqartësi apo ankesa lidhur me çmimet, prindërit dhe qytetarët mund të kontaktojnë në numrat +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.

Ministria ka bërë me dije se rastet e raportuara nga prindërit po evidentohen dhe trajtohen një nga një, ndërsa ka ftuar qytetarët të raportojnë çdo mospërputhje mes çmimeve në librari dhe atyre të përcaktuara në katalog.

Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit dhe Inspektorati i Tregut janë në koordinim të vazhdueshëm për adresimin e parregullsive.

MASh-i ka vlerësuar bashkëpunimin e prindërve dhe është shprehur e përkushtuar që procesi i furnizimit me tekste shkollore të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe transparente.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të iniciativave në përkrahje të fushatës për drejtësi…