Trump shpall marrëveshje për kontrollin e 65 miliardë barelë naftë në Venezuelë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje me Venezuelën, e cila sipas tij i jep SHBA-së kontrollin e shumicës së më shumë se 65 miliardë barelë rezervave të provuara të naftës në këtë vend.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump e cilësoi transaksionin si historik, duke pretenduar se ai do të dyfishojë rezervat amerikane të naftës dhe do të ndikojë në uljen e çmimeve të karburantit për qytetarët amerikanë.
Sipas Trump, marrëveshja është arritur nën udhëzimet e tij, me angazhimin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth.
Trump deklaroi se kontrolli mbi këto rezerva është siguruar pa kosto për taksapaguesit amerikanë, megjithëse nuk ka zbuluar detaje mbi strukturën e marrëveshjes, fushat specifike apo kompanitë e përfshira.
Në proces janë përfshirë gjithashtu presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, dhe partnerë nga sektori privat.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, e ka mirëpritur këtë marrëveshje, e cila pritet të sjellë rreth 209 miliardë dollarë në thesarin e shtetit venezuelian.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, përmes një postimi në rrjetin social X, e përshkroi marrëveshjen si një përfitim për të dyja vendet. Ai theksoi se kjo lëvizje do të sigurojë naftë me kosto të ulët për SHBA-në dhe do të gjenerojë rreth 100 miliardë dollarë investime private për Venezuelën, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Ky njoftim pason negociatat disajavore për t’u dhënë kompanive amerikane akses afatgjatë në fushat e naftës në Venezuelë. Megjithatë, burime kanë bërë të ditur se ky model mund të përballet me sfida ligjore dhe kushtetuese në Venezuelë, ku shteti ruan kontrollin mbi aktivitetet kryesore të industrisë së naftës.
Zyrtarët venezuelianë po përgatiten të nënshkruajnë marrëveshje për të drejtat e eksplorimit dhe prodhimit javën e ardhshme.
Aktualisht, Venezuela prodhon 1,25 milionë barelë naftë në ditë, një shifër shumë më e ulët se potenciali i saj për shkak të keqmenaxhimit dhe sanksioneve.
Administrata Trump synon që përmes këtij bashkëpunimi të rrisë prodhimin dhe të sigurojë më shumë naftë për rafineritë amerikane, duke zgjeruar rolin e Uashingtonit në industrinë energjetike të Venezuelës.



