Bekim Sejdiu në garë për president? Kush është ish-gjyqtari për të cilin raportohet se Kurti e Abdixhiku janë pajtuar në parim

30 gusht 2026 | 10:52

Bekim Sejdiu është emri që po qarkullon në kuadër të diskutimeve për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Sipas raportimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim që ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat për president.

Dakordimi thuhet se është arritur në takimin e parafundit mes Kurtit dhe Abdixhikut, të zhvilluar të mërkurën.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar se marrëveshja për emrin e Sejdiut është përfundimtare.

Kurti dhe Abdixhiku u takuan sërish të shtunën mbrëma, në një takim të paparalajmëruar, por pas përfundimit nuk dhanë detaje rreth përmbajtjes së bisedimeve.

“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”, deklaroi shkurt Kurti pas takimit.

Emri i Sejdiut thuhet se tashmë është në qendër të diskutimeve politike, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të jetë kandidati përfundimtar për të cilin do të sigurohet mbështetja e nevojshme në Kuvend.

Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa më herët ka pasur një karrierë në diplomaci.

Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi (2008-2012) dhe si Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork (2012-2014) . Para se të caktohej Ambasador, gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Sejdiu është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2002, shkruan Telegrafi.

Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka kryer edhe studime pasuniversitare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

Në këtë fazë, emri i tij mbetet pjesë e një dakordimi të raportuar në parim mes Kurtit dhe Abdixhikut, por marrëveshja ende nuk është bërë publike apo zyrtare.

Për zgjedhjen e presidentit në Kuvend kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë, ndërsa në dy rundet e para kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, pra 80 vota.

Në rundin e tretë mjafton shumica e të gjithë deputetëve, përkatësisht 61 vota. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar në Ditën Ndërkombëtare…