‘Shteti shkon pranë qytetarit’, Hoxha njofton ngritjen e pranisë diplomatike virtuale: Rritje e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e ka cilësuar shërbimin konsullor për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit si një histori suksesi, të lidhur jo vetëm me transformimin teknologjik, por edhe me ndryshimin e mënyrës, cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se vetëm gjatë periudhës 2017–2026 janë administruar 1 milion e 378 mijë shërbime konsullore.
Sipas tij, nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2026 janë administruar 4 milionë e 300 mijë legalizime, ndërsa që prej vitit 2021 janë regjistruar mbi 203 mijë aplikime për e-Visa.
Hoxha ka deklaruar se angazhimi i Ministrisë është përmirësimi dhe thjeshtimi i praktikave, me synim që shërbimet të jenë sa më pranë qytetarëve.
“Konkretisht, po punojmë për realizimin e një Asistenti Virtual, i cili nuk do të ketë orar, përgjigjet në çdo kohë e për çdo pyetje dhe kudo, dhe të orientojë kërkuesit drejt shërbimit. Në çdo shërbim konsullor do të vendoset një QR Code për të vlerësuar shërbimin dhe për çdo ankesë të mundshme. Qytetari të mos jetë vetëm përfitues i shërbimit, por edhe vlerësues i tij. Me një fjalë, duam të dimë si po punojmë dhe si të përmirësojmë”, ka thënë Hoxha.
Ministri ka njoftuar se shumë shpejt do të krijohet Prania Diplomatike Virtuale, si një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore për qytetarët në vendet ku Shqipëria nuk ka përfaqësim fizik.
“Me një fjalë, duam të kalojmë nga praktika kur qytetari shkon tek shteti, tek ajo ku shteti shkon edhe është gjithnjë pranë qytetarit”, është shprehur Hoxha.
Drejtoresha e Çështjeve Konsullore në MEPJ, Irida Laçi, ka bërë të ditur se aktualisht ofrohen online 32 shërbime në total, prej të cilave 22 nuk kërkojnë domosdoshmërisht prani fizike.
Laçi ka shtuar se, aty ku natyra e shërbimit e lejon, dokumenti mund t’u dërgohet qytetarëve përmes postës.



