Frikë nga një fitore e AfD-së: Emigrantët mendojnë të largohen nga Gjermania
Një fitore e mundshme historike e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet në Saksoni-Anhalt po shton shqetësimin mes migrantëve që jetojnë në këtë land të Gjermanisë Lindore. Disa prej tyre tashmë po shqyrtojnë mundësinë e largimit, nga frika e ashpërsimit të politikave të migracionit dhe rritjes së armiqësisë ndaj të huajve, raporton AFP.
AfD-ja, e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj migracionit, synon një rezultat historik në zgjedhjet e ardhshme në Saksoni-Anhalt dhe shpreson të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Kandidati kryesor i AfD-së, Ulrich Siegmund, i cili synon postin e kryeministrit të landit, ka paralajmëruar se personat e huaj pa të drejtë qëndrimi do të dëbohen që nga fillimi i mandatit të tij.
Në një deklaratë për AFP, Siegmund ka thënë se masat do të drejtoheshin ndaj personave që qëndrojnë ilegalisht në Gjermani ose që kanë urdhër për t’u larguar nga vendi. Sipas tij, migracioni i rregullt, i bazuar në kritere të rrepta, nuk do të përbënte problem.
Megjithatë, retorika e fushatës ka shtuar pasigurinë mes një pjese të komuniteteve me prejardhje të huaj.
Javën e kaluar, rreth 150 restorante, kioska dhe berberhane të drejtuara nga migrantë në Magdeburg mbyllën përkohësisht dyert në shenjë proteste ndaj asaj që ata e konsiderojnë një klimë gjithnjë e më ksenofobe.
Këshilli për Refugjatët ka raportuar se shumë migrantë kanë përjetuar racizëm dhe përjashtim social, ndërsa diskutimet për dëbime masive kanë shtuar frikën dhe pasigurinë.
Kardiologu sirian: Kam frikë se urrejtja ndaj të huajve do të përhapet
Në mesin e atyre që shprehin shqetësim është edhe Ayman Alyoussef, kardiolog me origjinë nga Siria dhe mjek drejtues në një klinikë në Quedlinburg.
Alyoussef ka ardhur në Gjermani në vitin 2014 dhe tashmë është shtetas gjerman. Ai ka treguar se është mirëpritur nga pacientët dhe kolegët, por se jashtë ambientit të punës ai dhe familja e tij përballen edhe me armiqësi.
“Kam frikë se urrejtja ndaj të huajve do të përhapet”, është shprehur Alyoussef për AFP.
Ai ka treguar se në spital shpëton pacientë që mbërrijnë në gjendje të rëndë, ndërsa jashtë tij perceptohet thjesht si një i huaj.
Kardiologu ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë, por nuk e ka përjashtuar largimin nëse situata përkeqësohet. Duke qenë shtetas gjerman, ai ka theksuar se mund të punojë edhe në lande të tjera apo jashtë Gjermanisë.
Largimi i migrantëve mund të godasë ekonominë
Problemi nuk është vetëm social dhe politik. Ekonomistët dhe punëdhënësit kanë paralajmëruar se largimi i fuqisë punëtore me prejardhje të huaj mund të ketë pasoja të mëdha ekonomike për Saksoni-Anhaltin.
Landi ka humbur pothuajse një të katërtën e popullsisë së tij që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990 dhe tashmë përballet me mungesë të fuqisë punëtore.
Veçanërisht i varur nga punonjësit me prejardhje të huaj është sektori i shëndetësisë.
Drejtori i klinikës në Quedlinburg, Matthias Voth, ka paralajmëruar se institucioni i tij nuk do të mund të funksiononte pa profesionistët e huaj.
“Pa kolegët tanë shumë të kualifikuar me origjinë të huaj, nuk do të mund të funksiononim. Do të më duhej ta mbyllja spitalin”, ka deklaruar Voth për AFP.
Edhe migrantë të tjerë në Saksoni-Anhalt kanë thënë se po e shqyrtojnë të ardhmen e tyre pas zgjedhjeve. Rezwaan Talash, 24-vjeçar nga Afganistani që jeton prej gjashtë vjetësh në Magdeburg, ka treguar për AFP se disa persona nga rrethi i tij tashmë janë larguar nga landi nga frika se situata mund të bëhet më e pasigurt pas zgjedhjeve.
Zgjedhjet në Saksoni-Anhalt, për këtë arsye, po ndiqen me vëmendje jo vetëm për rezultatin politik të AfD-së, por edhe për ndikimin që një ndryshim i mundshëm i pushtetit mund të ketë mbi migrantët, tregun e punës dhe sektorë të rëndësishëm si shëndetësia.



