Blerim Latifi kritikon Rrahim Ademin: Në historinë e luftës së Kosovës do të kujtohet vetëm si frikacak
Profesori i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe analisti politik, Blerim Latifi, ka reaguar ndaj, siç e quan ai, një tregimi që po qarkullon lidhur me rolin e gjeneralit Rrahim Ademi në luftën e Kroacisë dhe atë të Kosovës.
Latifi thotë se Ademi ka rol në historinë e luftës së Kroacisë, por e kritikon ashpër për mospjesëmarrjen e tij në luftën e Kosovës.
“Gjithandej po shpërndahet një tregim që e paraqet gjeneralin Rrahim Ademi si njeriun që, në betejën e Shibenikut, i shkaktoi një disfatë të rëndë gjeneralit serb Ratko Mlladiq, kasapit të Bosnjës.
Po, Rrahim Ademi ishte pjesë e fitores së madhe kroate kundër forcave serbe në Kroaci. Kjo është pjesë e historisë dhe nuk ka arsye të mohohet.
Por historia nuk mbaron aty.
Kur erdhi koha e luftës së Kosovës, kur atdheu i tij ishte përfshirë në një luftë për jetë a vdekje, Rrahim Ademi nuk erdhi të drejtonte as edhe një betejë të vetme për çlirimin e Kosovës.
Arsyetimet që ai ka dhënë më vonë për këtë mungesë janë post festum. Mund të diskutohen, të pranohen ose të kundërshtohen. Por një fakt nuk ndryshon: ai nuk ishte në frontin e luftës së Kosovës.
Ndryshe prej tij, Bekim Berisha u kthye dhe ra duke luftuar për Kosovën. Agim Çeku u kthye dhe mori komandën e luftës.
Prandaj, le t’i lëmë anash mitet dhe autobiografitë e ricikluara. Rrahim Ademi ka vendin e vet në historinë e luftës së Kroacisë, por, sa i përket luftës së Kosovës, ai do të kujtohet vetëm si një frikacak. Si një emër më shumë në listën e gjatë të shqiptarëve që për të huajt dhanë çdo gjë, e për atdheun e tyre asgjë”, ka shkruar Latifi.



