Haxhiu për herë të dytë nuk e emëron anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, VV-së ia emëron dy
U.d. presidentja, Albulena Haxhiu, sot ka bërë një veprim tjetër të kontestuar në aspektin juridik.
Me qëllim të favorizimit të subjektit të saj politik dhe dëmtimit të subjekteve politike kundërshtare, ajo sot ka marrë vendim t’ia emërojë VV-së dy përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kurse PDK-së vetëm 1 anëtarë nga 2 sa i takojnë sipas Kushtetutës së Kosovës.
Anëtarët e subjekteve shqiptare të emëruar sot janë: Hysen Durimishi dhe Violeta Salihu (LVV), Rashit Qalaj (PDK), Ilir Fetahu (LDK), Muharrem Nitaj (AAK). Nga radhët e komuniteteve janë emëruar 4 anëtarë.
Çka thotë Kushtetuta?
Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 7 qershor 2026, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 47.13% të votave, ka kërkuar që ashtu si gati gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet.
“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.
Aktualisht, sipas rezultateve të 7 qershorit, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur të hyjnë 4 subjekte politike shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK), prandaj, ndarja e 6 ulëseve duhet të bëhet për këto subjekte politike.
Por, në këtë situatë, kur numri i grupeve parlamentare nga radhët e subjekteve shqiptare është më i vogël, Kushtetuta ka dhënë zgjidhje, duke ia mundësuar grupit apo grupeve më të mëdha të emërojnë anëtarë shtesë, raporton Nacionale.
“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të paragrafit të njëjtë.

Në këtë rrethanë, kur sipas rezultateve të 7 qershorit janë vetëm 4 grupe parlamentare, 4 ulëset e para duhet të ndahen për secilën prej tyre, ndërkaq për 2 vendet e mbetura zbatohet “emërimi i anëtarëve shtesë” për grupet më të mëdha, në këtë rast për LVV-në dhe PDK-në.



