Donjeta Sadiku feston triumfin në Taranto, Federata e Boksit: Kemi bërë jehonë për suksesin e saj
Federata e Boksit e Kosovës ka mbajtur konferencë për media pas suksesit të madh të boksieres Donjeta Sadiku, e cila fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” në Itali.
Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka vlerësuar paraqitjen e Sadikut dhe ka bërë të ditur se përfaqësuesit e federatës kanë qenë pranë saj gjatë gjithë garave në Itali.
Demolli ka theksuar se të gjitha meçet e boksieres kosovare janë përcjellë nga afër dhe se suksesi i saj është promovuar në Kosovë dhe te shqiptarët në mbarë botën.
“Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës sa kemi qenë në Taranto dhe të gjitha luftërat i kemi përcjellë dhe kemi bërë jehonë të madhe në gjithë Kosovën edhe te shqiptarët anembanë botës. Këtu i kemi të pranishme kampionen mesdhetare, Donjeta Sadiku, dhe trajneren Manjolla Sallauka”, ka deklaruar Demolli.
Vetë kampionia mesdhetare ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që ka marrë gjatë ditëve të garave, duke vlerësuar përkrahjen e tifozëve, mediave dhe sportdashësve.
“Keni qenë një mbështetje gjatë gjithë këtyre ditëve”, është shprehur Sadiku.
Edhe trajnerja Marjola Sallauka ka falënderuar mediat dhe sportistët për përkrahjen gjatë garave, veçanërisht në përballjen finale, të cilën e ka cilësuar si një sfidë shumë të madhe.
“Dua të falënderoj jo vetëm sot, por edhe për ditët e kaluara, të cilat kanë qenë një sfidë shumë e madhe për ne, sidomos meçi i fundit, në të cilin kemi pasur një mbështetje dhe përkrahje shumë të madhe, jo vetëm prej sportistëve që kanë qenë atje, por edhe prej të gjitha mediave. Ju falënderoj nga zemra për këtë mbështetje”, ka deklaruar Sallauka.
Sadiku ka folur edhe për emocionet dhe presionin që e kanë shoqëruar finalen. Ajo ka treguar se përballja ishte pritur me shumë interes edhe në rrjetet sociale dhe se së bashku me trajneren ishte përgatitur maksimalisht për ta fituar.
“Ai ka qenë një meç me shumë tension, si në sallë, ashtu edhe jashtë saj. Në rrjetet sociale është pritur me padurim ai meç. Unë, së bashku me trajneren time, e kemi biseduar këtë dhe jemi munduar ta fitojmë atë ndeshje”, ka deklaruar Sadiku.
Boksierja kosovare ka treguar se nuk e kishte pritur mënyrën se si përfundoi finalja, duke marrë parasysh nivelin e kundërshtares, të cilën e kishte vlerësuar maksimalisht.
“Nuk e kam pritur. Boksierja që e kam pasur përballë ka qenë e dyta në botë dhe është një boksere të cilën e kam vlerësuar shumë. Kemi besuar se do të shkonim në tri runde, si çdo ndeshje tjetër. Mirëpo, unë kam qenë shumë e qetë dhe kam qenë shumë mirë psikikisht. Ajo që ka ndodhur me të mund t’i ndodhë çdo personi, mirëpo kështu ka ndodhur”, ka përfunduar Sadiku.
Medalja e artë në Taranto përbën një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e Donjeta Sadikut dhe një rezultat të veçantë për boksin kosovar në arenën ndërkombëtare.



