Fillimi i vitit shkollor, policia apelon për kujdes të shtuar në trafik
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat pranë institucioneve arsimore.
Policia ka theksuar se siguria e fëmijëve në komunikacion duhet të jetë prioritet për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Në njoftimin e saj, policia ka rikujtuar shoferët se fëmijët mund të jenë të paparashikueshëm gjatë lëvizjes, andaj kërkohet vigjilencë e shtuar në afërsi të shkollave.
“Fëmijët janë të paparashikueshëm në lëvizje”, ka njoftuar Policia e Kosovës, duke kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me përpikëri kufizimet e shpejtësisë.
Në veçanti, Policia ka bërë thirrje që shpejtësia e lejuar të respektohet në zonat pranë shkollave, ku me fillimin e mësimit pritet të ketë lëvizje më të madhe të nxënësve dhe prindërve.
Sipas policisë, respektimi i rregullave të trafikut, shpejtësisë së lejuar dhe rritja e vëmendjes në këto zona janë të rëndësishme për parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për nxënësit.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes të veçantë gjatë orareve kur nxënësit shkojnë dhe kthehen nga shkolla.





