Kur kriza institucionale dhe mashtrimi kthehet në instrument pushteti

01 shtator 2026 | 15:59

Shkruan: Hisen Berisha 

Në një krizë jashtëzakonisht të rëndë institucionale, ku shteti mbahet peng nga politika, ku kufijtë ndërmjet procedurës kushtetuese dhe kalkulimit politik bëhen gjithnjë e më të mjegullt, edhe mashtrimi mund të shndërrohet në politikë.

Ajo që në pamje të parë po na paraqitet si një marrëveshje për zhbllokimin e institucioneve, pra, dakordimi ndërpartiak LVV/LDK, për emrin e Presidentit, mund të duket si zgjidhje. Por, faktikisht duhet parë edhe si një skenar i mundshëm për mënyrën se si do të strukturohet pushteti pas konstituimit të Kuvendit. Pra pas fasadës së marrëveshjes fshihet pyetja kryesore se, çfarë formule e pushtetit po ndërtohet?

Dakordimi ndërpartiak për emrin e Presidentit do ta hapte rrugën për thirrjen e seancës konstituive. Së pari, konstituohet Kuvendi. Pastaj me logjiken formale kushtetuese votohet Presidenti.

Por pyetja thelbësore nuk është vetëm se, a do të konstituohet Kuvendi? Pyetja është se, çfarë ndodh nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet?

Nëse kandidati ndërpartiak për President nuk i merr votat e nevojshme, aktivizohet mekanizmi kushtetues dhe kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e Presidentit.

Këtu fillon skenari politik dhe mashtrimi fillon të marë trajten e pushtetit që kap shtetin.

Një Qeveri e mbështetur nga shumica parlamentare, një Kuvend i kontrolluar nga e njëjta shumicë dhe një ushtrues detyre i Presidentit nga i njëjti soj politik, apo i afërt me të, krijojnë një përqendrim të pazakontë të pushtetit.

Formalisht, institucionet ekzistojnë. Por, demokracia nuk është vetëm ekzistenca formale e institucioneve. Është ndarja dhe kontrolli i pushteteve.

Kur shumica qeverisëse kontrollon Kuvendin dhe përmes tij edhe institucionin që ushtron përkohësisht kompetencat presidenciale, mekanizmi i kontrollit reciprok dobësohet.

Por skenari mashtrues, nuk përfundon këtu.

Nëse Gjykata Kushtetuese është e hendikepuar nga ndikimi politik, deri në paaftësim si mekanizëm efektiv i mbrojtjes së kushtetutshmërisë, atëherë edhe barriera e fundit institucionale ndaj përqendrimit të pushtetit dobësohet.

Prandaj pyetja nuk është vetëm se, a po zhbllokohet Kuvendi?
Por, edhe a po zhbllokohet shteti, apo po ndërtohet një mekanizëm i ri për rikapjen e tij?

Sepse, pikërisht këtu mund të jetë mashtrimi i madh politik i Kurtit pra, të paraqitet ky dakordim si zgjidhje e krizës, ndërkohë që kriza shfrytëzohet për të krijuar një konfigurim të ri pushteti.

Dhe në këtë skenar, nuk mund të anashkalohet ajo që unë e shoh si linjë të përbashkët të “argatëve të Sorosit” në Ballkan, një rrjet politik e ideologjik që synon ndikim mbi lidershipet, partitë dhe institucionet, nga Kosova e Shqipëria deri në Serbi, Maqedoni të Veriut e Mal të Zi.

Në këtë logjikë duhet lexuar edhe dobësimi politik i Vjosa Osmanit, e cila nuk po ndodh rastësisht.

Sipas këtij interpretimi, dobësimi dhe eliminimi i saj si faktor politik autonom i ka shërbyer edhe forcimit të Lumir Abdixhikut dhe shndërrimit të LDK-së në një faktor më të menaxhueshëm për Kurtin. Pra, nga një kundërshtar retorik, në një partner të mundshëm sofist.
Nga alternativë politike, në numër parlamentar.

Por këtu ekziston edhe një mundësi tjetër, ndoshta edhe më mashtruese në kontekst, a po dobësohet Vjosa Osmani për t’u forcuar?
Sepse zhvillimet e fundit mund të lexohen edhe si një skenar ku ajo, përmes marrëveshjeve, figurave dhe strukturave të reja politike, po rikthehet gradualisht në qendër të skenës. Nëse kjo ndodh, atëherë dobësimi i saj përballë Lumir Abdixhikut mund të ketë qenë vetëm një fazë e përkohshme e riformatimit të saj politik, si partnere “prior tempore” e Kurtit në degradimin politik e kushtetues të shtetit dhe subjektivitetit strategjik ndërkombëtar.
Në këtë kuptim, Vjosa mund të jetë duke fituar terren brenda dy kampeve politike njëkohësisht, ndërsa grupi sorosist mund të jetë duke rikthyer një nga figurat më të rëndësishme të tij në politikbërjen kosovare, me synim një pozicion të ri dominues në skenën politike të Kosovës.

Dhe këtu shfaqet edhe një tjetër pjesë e skenarit, z. Bekim Sejdiu si kandidat për President.

Kandidimi i ish-këshilltarit të Vjosa Osmanit mund të interpretohet si një përpjekje për rehabilitim moral të sajë dhe, njëkohësisht, si një fije politike ku Osmani mund të kapet sërish.

Pra, jo domosdoshmërisht një rikthim i Osmanit si faktor i pavarur, por një rikthim i kontrolluar në skenë, aq sa të ketë një fije ku të kapet, por jo aq sa të bëhet sërish kërcënim real politik.

Në këtë pikë, gjithçka lidhet.
Dobësimi fuqizies i Osmanit.
Menaxhimi i LDK-së.
Kandidatura për President.
Kontrolli i shumicës parlamentare.
Një President ushtrues detyre.
Dhe një Gjykatë Kushtetuese e dobësuar si mekanizëm mbrojtës.

Kjo nuk duket më si një zgjidhje e zakonshme e krizës. Mund të jetë një skenar për rikapjen e shtetit.

Në këtë lojë, Albin Kurti nuk ka nevojë ta mposhtë gjithmonë kundërshtarin. Mjafton ta dobësojë, ta përçajë, ta bëjë të varur dhe pastaj ta përdorë si numër.

Ky është triumfi më i madh i një pushteti, pra, kur kundërshtari nuk zhduket, por humb aftësinë për të qenë alternativë.

Prandaj kjo nuk është thjesht krizë parlamentare por, shtë betejë për arkitekturën e pushtetit.

Dhe këtu duhet të jenë të qarta edhe partitë opozitare, shoqëria civile dhe qytetarët:

Të mos e pranojmë çdo marrëveshje vetëm pse quhet zgjidhje.
Shikoni çfarë pushteti prodhon ajo.

Të mos e shohim vetëm votën.
Shikoni kontrollin.

Të mos e shikojmë vetëm konstituimin e institucioneve.
Shikoni pavarësinë e tyre.

Sepse një krizë mund të zgjidhet për ta kthyer shtetin në normalitet. Por, mund të përdoret edhe për ta riformatuar shtetin sipas nevojave të pushtetit.

Në fund, pyetja është shumë më e thjeshtë se gjithë retorika politike, pra, kush po e zhbllokon shtetin dhe kush po e merr nën kontroll?

Prandaj, thirrja ime është e drejtpërdrejtë, për opozitë, mos u bëni numër i një skenari që nesër mund t’ju eliminojë politikisht.

LDK, të mos e këmbej rolin e alternativës historike, me një vend në skemën e pushtetit.

Institucionet, të mos lejojnë që Kushtetuta të përdoret si mbulesë për kapjen e shtetit.

Dhe qytetarëve që u takon demokracia që, të mos mashtrohen nga zhbllokimi formal i institucioneve. Kërkoni institucione të pavarura, kontroll real të pushtetit dhe mbrojtje të Kushtetutës.

Sepse shteti nuk duhet të dalë nga kriza më i dobët se sa hyri në të.

As demokracia nuk duhet të dalë peng i një shumice.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga sot, ekipit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare i…