Kryesia e LDK-së mbështet marrëveshjen me LV-në për presidentin

01 shtator 2026 | 16:09

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike me Lëvizjen Vetëvendosje, me ç’rast ka mbështetur nominimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Pas shqyrtimit, Kryesia e LDK-së ka miratuar me unanimitet të plotë marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i partisë, duke mbështetur njëkohësisht nominimin e profesor Bekim Sejdiut për president të Republikës.

Sipas LDK-së, vendimi përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të partisë. “Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues. Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional. Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit ton”, ka njoftuar LDK-ja, duke shtuar se Sejdiu i përmbush kriteret për president.

“Në të njëjtën kohë, zgjedhja e Presidentit të Republikës kërkon një personalitet me integritet të dëshmuar, përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë institucionale, i cili e kupton peshën kushtetuese të kësaj detyre dhe është në gjendje ta përfaqësojë unitetin e popullit. Profesor Bekim Sejdiu i përmbush këto kritere. Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës. Përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në përfaqësimin diplomatik të vendit përbën garanci për ushtrimin e pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së presidentit”, ka njoftuar LDK-ja.

Kryesia e kësaj partie i bëri thirrje deputetëve të grupit parlamentar të LDK-së që “gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Në një krizë jashtëzakonisht të rëndë institucionale,…